Kur u njoftua se françiza 007 do të përzgjidhte një aktor të ri për të luajtur rolin e agjentit sekret më të famshëm në botë, të gjithë dhanë sugjerimet e tyre. I favorizuar ishte Idris Elba, por ky sugjerim s’u prit mirë sepse njerëzit janë racistë. Sipas postimeve që përmbytën rrjetet sociale pak muaj më parë, James Bond duhet të jetë burrë, i bardhë dhe britanik. Pa asnjë arsye domethënëse, përveç faktit se çdo James Bond ka qenë i tillë.
Epo, aktori që do të luajë 007 është përzgjedhur dhe është grua. Grua me ngjyrë, për më tepër. Lashana Lynch, aktore britanike e njohur për rolin e Maria Rambeau në Captain Marvel do të jetë protagonistja e filmit të ri Bond, që pritet të dalë në kinema në prill të 2020.
Sipas një raportimi të The Daily Mail, Lynch do të luajë rolin e agjentit të MI6 që merr në dorëzim numrin që dikur i përkiste Bond para se ai të dilte në pension. Sipas një burimi që po punon me filmin, ky fakt zbulohet që në skenat e para. Në fillim, personazhi i Ralph Fiennes, M, thotë “Eja, 007” dhe në plan hyn Lynch.
Regjia i është besuar Cary Joji Fukunaga, i njohur për punën e bërë në True Detective, ndërsa skenari, Phoebe Waller-Bridge, e njohur për Fleabag dhe Killing Eve.