“E kam dashuruar gjithmonë heshtjen, por tani dëgjoj zërin tënd në dhomën tjetër dhe ndihem në shtëpi.”
Me këtë premtim, më 13 korrik, Tiziano Ferro festoi kurorëzimin e dashurisë së tij me Victor Allen në Sabaudia pas një ceremonie tejet sekret mbajtur në Los Angeles më 25 qershor. Në një kopertinë ekskluzive për Vanity Fair Italia, këngëtari rrëfen historinë e dashurisë me manaxherin e marketingut amerikan (që është 54 vjeç, 15 vite më i madh se ai) dhe se si vendosi të martohej me të jo pasi u menduan gjatë bashkarisht, por pas një propozimi surprizë të Victor.
“Ditëlindjen time,” thotë Tiziano për Vanity Fair, “më pyet nëse do t’i përgatis atë që ai quan ‘novio coffee,’ një pije që e kam shpikur unë – novio do të thotë i fejuar në spanjisht – një kafe me lajthi, e ëmbëlsuar me panë dhe kanellë. Diçka që mezi përtypet e që i pëlqen vetëm atij. Me vete mendoja: s’më besohet, për ditëlindjen time, duhet t’ia bëj unë kafenë? Sidoqoftë, ia përgatis. Ai më thotë: “Kam blerë dy filxhanë. Kam gdhendur secilin”... Unë, gjithnjë e më i bezdisur marr në dorë një që shkruan “amore” në italisht. Ai: “Shiko dhe tjetrin.” E marr në dorë dhe filloj të lexoj. Në italisht, shkruhej: vuoi sposar... (do të martohesh me mua). Kthehem e shoh dhe Victor është ulur në gjunjë dhe mban në dorë një kuti nga Tiffany. Humba kontrollin e vetes. Mbaj mend vetëm që më shkundeshin shpatullat: kam qarë për njëzetë minuta pa thënë asnjë fjalë. Sido që të shkojnë punët mes nesh, Victor është i vetmi që më ka dhuruar një lloj gëzimi që s’e kisha provuar që në fëmijëri.”
Tiziano dhe Victor janë bashkë prej tre vitesh, që nga momenti që u njohën në Los Angeles, në një korridor të studiove të Warner Bros., ku Tiziano po filmonte një video e ku Victor punonte. Edhe atë ditë një kafe i bëri bashkë. Italiani po kërkonte një Starbucks, ndërsa amerikani, që s’ia kishte idenë se po fliste me një këngëtar kaq të suksesshëm, e ftoi në moment për një makiato. Dhe aty nisi gjithçka.