TV Mania

Valbona Selimllari rrëfen se dikur tentuan ta përdhunonin

Shkruar nga Anabel

9 Qershor 2019

Valbona Selimllari rrëfen se dikur tentuan ta përdhunonin

“Ti ke një figurë paqësore, por a është kjo një fasadë dhe brenda teje fshihet një përbindësh?”, e pyeti me humor Ermal Mamaqi Valbona Selimllarin, të ftuarën e radhës në “Xing me Ermalin”. “Ne nuk jemi perfektë në këtë botë, kemi gabime plot, por sigurisht nuk i tregojmë të gjitha sepse kemi qejf të tregojmë më të mirat,” u përgjigj ajo.

Valbona Selimllari rrëfen se dikur tentuan ta përdhunonin

Si një mënyrë për të treguar një anë tjetër të saj, Selimllari rrëfeu një histori që përkon me vitet e trazirave të post-diktaturës, aty rreth viteve ’94-’97.

“Në fakt unë kam jetuar në kohën kur kishte shumë trazira në Tiranë, nga 1994 në 1997 dhe 1997 ka qenë kulmi. Ka pasur situata të tmerrshme, shpesh djemtë ngacmonin vajzat, kanë ndodhur përdhunime, vjedhje dhe raste të dhimbshme,” u shpreh ajo. ”Më ka ndodhur edhe mua dhe do tregoj një rast. Po kthehesha nga teatri dhe në rrugë më dolën dy djem. Ishte errësirë dhe nuk më njohu. Më qëlloi me grusht në fytyrë dhe në një moment m’u errën sytë.”

Në vijim, Valbona tregoi se për fatin e saj e të mirë, krahët i kishte të fuqishëm duke qenë se ishte gjimnaste. “Në një moment u përmenda, e lash të më çonte tek cepi i pallatit, sepse ai nuk donte ta bënte në rrugë atë gjë që kishte ndërmend të bënte. Mbaj mend që i thash: ‘Më vjen keq, por të ka qëlluar me njeriun e gabuar’. Se çfarë kam bërë e në ç’formë e kam rrahur nuk e di, por e kisha vënë poshtë këmbëve të mia. I kisha vënë gjunjtë tek kurrizi dhe e mbaja që të mos ikte. Në një moment, dëgjova që po vinin njerëz, shkëpus vëmendjen dhe ai gjeti rast që u lirua dhe iku.”

“Ajo që më shqetëson në këtë rast është se nëse do ishte një vajzë që nuk do të kishte fuqinë time,” përfundoi ajo.