
Shkrimtari i njohur Albatros Rexhaj, vjen në këtë edicion të Panairit të Librit me "Zonja Z", një libër protestues, një zë revolte e indinjate për shoqërinë shqiptare të përbërë kryesisht nga femra të ndrydhura e meshkuj të tredhur.
Anabel.al ka kontaktuar me botuesen e shtëpisë botuese “Pegi”- Loreta Berhami, për të ditur diçka më shumë rreth këtij libri, i cili duket se i referohet jo vetëm të gjithë atyre që kanë pak mllef e zemërim brenda tyre e megjithatë nuk arrijnë ta shprehin atë, por edhe të gjithë atyre që do të donin të bërtisnin si të çmendur në mes të rrugës, për t'u çliruar nga ndjenjat mbytëse.
"Rrëfimtari dhe Zonja Z u flasin këtyre, njerëzve të thjeshtë që përpiqen të mos humbin në përditshmërinë e tyre"- pohon Berhami.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
Ky libër është manifestimi më thelbësor i filozofisë urbane të autorit Albatros Rexhaj. Rrëfimtari ynë, një shkrimtar, takon dashurinë e jetës së tij dhe nuk shkruan më. Ajo e plotëson dhe ai nuk ndien më nevojë të shkruajë. Këta dy shpirtra binjakë, të kapur dorë për dore, përballen me paragjykimet dhe tabutë shqiptare. Bisedat e tyre ngrenë një sërë dilemash dhe pyetjesh të rëndësishme: mbi pozitën e femrës në shoqërinë shqiptare, mbi pseudovlerat morale të ngritura në piedestale, mbi hipokrizinë e turmës dhe lojërat pushtetare të kudogjendura.
Lajtmotivi kryesor i këtij bashkëbisedimi është feminizmi. Shpesh flitet për feminizëm në Shqipëri, po sa afër realitetit janë këto debate publike, kur nëpër shtëpitë e shqiptarëve, gratë janë ende, jo vetëm të pabarabarta, por të nënshtruara, fizikisht dhe psikologjikisht? Dhe kush është përgjegjës për këtë? Vetëm meshkujt, apo mos ndoshta edhe femrat vetë, nënat tona, kanë një pjesë të madhe përgjegjësie? Pse një femër që e jeton lirshëm seksualitetin e saj damkoset si e përdalë, ndërsa një mashkull që bën të njëjtën gjë admirohet?
Dy heronjtë tanë flasin edhe për lodhjen që ndiejnë kur luftojnë për ta ndryshuar botën e tyre, tek hasen me heshtjen gjykuese dhe moralizuese, që i përjashton dhe i bën të ndihen të vetmuar. Kjo është beteja e shumë të tjerëve dhe përfundimi i trishtë i kësaj historie tingëllon si një kambanë alarmi.
Autori Albatros Rexhaj, i cili e shtrinë veprimtarinë e tij letrare dhe publicistike në blogun elektronik Filozofia urbane, ka lindur në Prizren dhe veprimtarinë krijuese e zhvillon midis Tiranës dhe Prishtinës.
Fragmente nga libri
1) Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në qerthullin e shtirjes kolektive, ku mjerimi shitet si devotshmëri, ndërsa lumturia kryqëzohet si një mëkat kardinal. Madje, përpjekjet për ndryshim konsiderohen një lloj mëkati. Të jetosh në mesin e këtyre njerëzve, është njësoj si të jetosh brenda një flluske kohe, në të cilën kurrë, asgjë nuk ndryshon. Gjithçka lejohet në mbrojtje të rendit të shëmtuar që sundon brenda saj. Kush nuk pranon ta përqafojë mendësinë e flluskës dhe të mos heqë dorë nga ëndrra e lumturisë, luftohet si të ishte ithtar i djallit vetë. Meshkujt ëndërrimtarë stigmatizohen si të çmendur, të shthurur apo perversë, ndërsa femrat ëndërrimtare damkosen si të përdala, lavire dhe magjistrica.
2) “Kur m’i shpreh ndjenjat dhe më tregon për dëshirat e tua deri në hollësi, më ndez flakë më shumë se të gjitha gjërat më epshndjellëse që kam provuar deri tani,”...
3) Për çdo gjë që nuk shkon, faji është i femrës. Meshkujt që kam njohur unë, kur një lidhje nuk ka shkuar mirë, e kanë pasur shumë të vështirë të pranojnë se ata nuk ishin të duhurit për mua. Ende nuk e kam takuar një mashkull që nuk është përpjekur të jetë organizator i ditëve të mia. Madje ka edhe të tillë që kanë ambicie të jenë censurues të ëndrrave të mia. Nëse jam e lidhur me dikë, nuk do të thotë se jam pronë e tij dhe se do të më duhet të jetoj ashtu si thotë ai. Pres atë mashkull që do ta pranojë se unë jam skenariste dhe regjisore e jetës sime, që do të jetë i kënaqur që ka fituar një rol kryesor në jetën time.
4) Politikanët e këtij vendi frustrimet e tyre në shtrat po i shprehin suksesshëm në politikë. Nëse nuk më beson, ndiq cilëndo mbledhje të Kuvendit të Republikës dhe do të shohësh se si asnjë nga përfaqësuesit nuk e dëgjon shoqi-shoqin, por të gjithë ulërijnë dhe shpërfillen. I trajtojnë rivalët politikë ashtu siç i trajtojnë dashnoret: në publik i injorojnë, ndërkaq larg syve të opinionit duhen me pasionin e atij që e mban epshin të fshehtë.