Mbrëmjen e sotme, Aurela Gaçe ishte e ftuar tek “Në Kurthin e Piter Pan-it”. Përmes pyetjeve që fëmijët bënë, Aurela zbuloi se nuk do ta shohim më të marrë pjesë nëpër festivale.
Kjo, për një arsye të thjeshtë: “Emocionet e konkurrimit janë një emocion i keq. Tani dua vetëm të shijoj dhe do të këndoj deri në fund të jetës.”
Dhe, shijen e vërtetë nga spektakli i sotëm, këngëtarja e mori kur në skenë u shfaq vajza e saj e madhe , Grace.
Përpos ngjashmërisë në tipare, Grace u duk se kishte trashëguar nga e ëma zërin. Të veshura të dyja me të bardha, nënë e bijë kënduan një prej këngëve të saj më të famshme ,“Fati ynë shpresë dhe marrëzi”.
Ndonëse 7-vjeçarja ia doli për mrekulli ta shoqëronte të ëmën në këngë si një këngëtare e vogël, Aurela s'ka ndërmend t'i mbushë mendjen për asgjë.
"Grace ka vesh muzikor, por nuk kam ndërmend të ndikojë në zgjedhjen e rrugës së saj.Asnjërën nga vajzat nuk do shtyj që të zgjedhë rrugën time."- u shpreh Gaçe, që përveç Grace është nënë e një tjetër vajze 3 vjeç, të quajtur Abigail.