Showbiz dhe TV

Motrat shqiptare që mahnitën ‘The Voice of Italy’ synojnë fitoren

Shkruar nga Anabel

26 Prill 2019

Motrat shqiptare që mahnitën ‘The Voice of Italy’

Ina dhe Serena Sinani performuan “Shumë pis” për jurinë e “The Voice of Italy” dhe falë stilit të veçantë arritën të bënin për vete të katër anëtarët. Ato zgjodhën t’i bashkoheshin ekipit të Gue Pequeno-s ngaqë lëvrojnë në rryma të ngjashme.

Në një intervistë për “Klubin e mëngjesit,” dyshja e njohur ndryshe si “Sindolls” tha se synon vendin e parë, ashtu siç arriti Elhaida Dani vite më parë në po të njëjtin kompeticion. “Elhaida u prezantua me tjetër stil dhe ishte më profesioniste, por pa dyshim që edhe ne e synojmë fitoren në ‘The Voice,’ edhe pse lëvrojmë në një tjetër stil,” thanë këngëtaret.

Gjithashtu, ato shpjeguan pse zgjodhën të performonin së pari një këngë në shqip dhe së dyti pikërisht këngën e Era Istrefit. “Donim një këngë shqip për ta bërë më të njohur muzikën shqiptare në Itali, por edhe për faktin që Era Istrefi është tashmë një yll botëror,” thanë ato.

Sindolls duan të vijojnë të këndojnë në shqip, por s’e dinë a do t’ia dalin mbanë.