Tingëllon e pabesueshme, por 19- vjeçari Eklent Kaçi është kampion bote në bilardo. I ftuar ditën e sotme te Rudina, Kaçi rrëfeu se pasioni për sportin në fjalë i nisi kur ishte vetëm 8 vjeç për t’u shndërruar më pas ndër vite në fitimtar të trofeve në të gjithë botën.
Sot, Eklenti është kampion në fuqi në të gjitha disiplinat e kësaj loje në nivel botëror.
“Ëndrrat e mia janë bërë realitet shumë shpejt. Por në moshën 8-vjeçare kur kam luajtur për herë të parë bilardo pashë njerëzit që më shikonin dhe thashë: Do ta filloj edhe unë këtë sport dhe do të bëhem më i miri. Fillova të luaj dhe pas disa muajsh lojë i munda të gjithë. Fitorja ime e parë ishte në lagje. Për të qenë një lojtar i mirë duhet të praktikohesh shumë dhe mendërisht duhet të stërvitesh. Kur praktikohesh shumë e ndjen që je gati për ndeshje dhe e kontrollon lojën.”
I riu rrëmbeu fillimisht çmime në Shqipëri për të korrur sukses më vonë edhe në SHBA.
“Fitorja e fundit ishte në SHBA ku fitova titullin kampion bote në disiplinën 14+1. Kampionati 14+1 ishte kampionati i dytë ku merrja pjesë, sepse nuk e kisha praktikuar shumë. Në kampionatet 8-ësh, 9-ësh dhe 10-ësh jam në të gjitha i pari dhe doja të provoja këtë. U shpalla kampion. Ishte pak e çuditshme, por me punë arrihet gjithçka. Është e vështirë të garosh në bilardo, sepse ka lojtarë nga e gjithë bota dhe lojtarë shumë të mirë, por unë u shpalla kampion.”