Mos u keqkuptoni nga titulli! Kur themi 'e lënë pas dore' nuk e kemi fjalën për mungesën e përkujdesjes apo të dashurisë ndaj bebit, por për kohën e pakët që baballarët qëndrojnë aty kur foshnja vjen në jetë.
Në vendin tonë, nënat e reja përfitojnë 52 javë leje lindjeje, ndonëse jo të paguara me 100% të pagës. Kjo periudhë kohore është ndër më të gjatat në botë dhe Europë. E kundërta ndodh me burrat!
Leja e prindërimit për ta në Shqipëri është vetëm 3 ditë me pagesë të plotë. Sipas një artikulli të publikuar në Monitor, kjo periudhë kohore është më e shkurtra nga gjithë vendet e BE-së, pas Sllovakisë, Maltës dhe Luksemburgut.
Por si funksionon leja e atësisë në Europë?
Pothuajse të gjithë vendet e BE-së i garantojnë baballarëve të rinj mesatarisht rreth 11 ditë pushimi, edhe pse shumë vende nuk e shfrytëzojnë. Vendet e Ballkanit janë ende larg standarteve europiane: pushimi i atësisë është më pak se 7 ditë dhe në disa raste as nuk paguhen, por gjithsesi burrat shqiptarë kryesojnë si më të “keqtrajtuarit” kur vjen puna tek lejet e prindërimit.
Në vendin tonë, shumica e baballarëve preferojnë që aktivitetin e kujdesit të fëmijëve ta delegojnë tek bashkëshortet, të cilat mbeten jashtë tregut të punës për një kohë të gjatë.
Burimi: Monitor