Një rrjetë gjigande merimangash ka mbuluar ditët e fundit liqenin “Vistonida” në veri të Greqisë. Vendi në fjalë është kthyer në makthin e të gjithë atyre që kanë fobi nga këto insekte.
Sipas ekspertëve vendas, ky fenomen shkaktohet si pasojë e motit të ngrohtë që krijon një favor për rritjen e merimangave. Ndodhia e pazakontë ka shkaktuar habi tek shumë vendas dhe të huaj që janë bërë kureshtarë rreth asaj që po ndodh.
Kjo nuk është hera e parë që në Greqi shënohet një dukuri e tillë. Rreth një muaj më parë e njejta gjë ndodhi edhe në qytetin bregdetar të Aetolikos, por u zhduk me rënien e temperaturave.