Në zemër të qytetit të Elbasanit është hapur mozaiku i Bazilikës paleokristiane.
I zbuluar që në vitin 2007, gjetja u bë e mundur falë bashkëpunimit të specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës së bashku me studiuesen franceze Marie Patrisia Raynaud.
Grupi i specialistëve është duke studiuar dhe dokumentuar të dhënat e këtij mozaiku, i cili sipas studiueses franceze është më i bukuri në Shqipëri dhe më gjerë. Marie tregon se nga viti 2007 deri në 2012- n në këtë zonë janë gjetur disa mozaikë, pjesa qendrore e të cilëve është kupola e kishës që përmban mozaikun më të bukur që kemi në Shqipëri. Ikonografia e tij dhe temat janë shumë të pasura, ka kafshë, panele të shkëlqyera, por mbi të gjitha një larmishmëri ngjyrash, shumë më tepër se në mozaikët e tjerë
“Mozaiku duhet të ruhet aty ku ndodhet, pra jo të hiqet dhe të vendoset në muze, sepse ai ende është në kushte shumë të mira, këtu në brendësi të kishës. Ne mendojmë që gjëja më e mirë është që njerëzit ta shohin mozaikun, por ai nuk duhet të preket nga uji, shiu apo mbeturinat. Pra më e mira është që mozaiku të ketë një tip mbulese nga e cila mund ta shohësh atë, por jo ta prekësh.” Ka deklaruar Marie Patrisia Raynaud për “Top Channel”.
Pjesë e rëndësishme e projektit është ruajtja e tij dhe frenimi i degradimit të mëtejshëm. Instituti i Monumenteve është duke restauruar pjesët e rrezikuara për të shmangur rrëshqitjet e tyre dhe prishjen e copëzave të mozaikut.