
Pas premierës së “The Brave” (Të guximshmit), me të drejtë pyetëm veten pse Albana Osmani nuk ishte pjesë e filmit, siç u tha 2 vite më parë. Për t’ju freskuar memorien, na lejoni t’ju bëjmë një përmbledhje të shkurtër.
Në një intervistë ekskluzive për Anabel në vitin 2016, Albana Osmani foli mbi projektin “Lazarat Burning”, që do të realizohej nga kompania filmike Mercury Films. U tha në atë kohë, se krahas aktorëve rusë si Konstantin Khabensky, Elizaveta Boyarskaya, Dmitry Nagiyev dhe Ivan Makarevich, pjesë e kastës do të ishin Albana Osmani, Ermal Mamaqi, Jonida Vokshi dhe Blerim Destani.
“Po pinim kafe me një miken time, ndërsa producentët e Mercury Films ishin ulur tek një tavolinë pranë nesh”, rrëfeu Albana Osmani për Anabel. “Unë e kam për natyrë të flas me ekspresivitet, dhe mbase kjo u ka bërë përshtypje. M’u afruan pa e ditur se unë punoj në televizion, e gjëra të tilla. [...] Personazhi im do të fokusohet shumë tek portreti. Portreti duhet të jetë pjesa më shprehëse. Për mua është një dimension tjetër, paçka se përvoja në televizion më ka familjarizuar me kamerat. Si aktore ndihem gati edhe entuziaste."
“Lazarat Burning” u përfol si projekti më i madh filmik që do të realizohej ndonjëherë në Shqipëri. E kontaktuar sot nga Anabel, Albana u shfaq tejet e gatshme të shpjegonte si ishte puna.
“Në fakt ai film, “Lazarat Burning”, nuk u bë kurrë, madje dhe emri ndryshoi. Për punët e tyre, ata ndryshuan skenarin, kastën e aktorëve dhe detaje të tjera. Në film futën më shumë personazhe burra. As unë, as Ermali dhe as Jonida nuk qemë pjesë.”
Në fakt, “The Brave”, përveç realizuesve të filmit, ka të njëjtin subjekt dhe qëllim si edhe “Lazarat Burning” – të udhëtojë në botën e narkotrafikut dhe krimit në Shqipëri, por njëkohësisht të paraqesë një tjetër anë të medaljes, që siç u shpreh edhe Albana për Anabel në 2016-n, lidhet me njerëzit që luftojnë për ideale dhe një vend më të mirë.

Moderatorja dhe filantropja shpjegoi se nuk ka patur ndonjë problem, të paktën jo nga ana e saj dhe aktorëve të tjerë shqiptarë. Zgjedhja e kastës së re lidhet me ndryshimet në skenar, pavarësisht se fabula duket se është e njëjtë.
Filmi që synon të mos i portretizojë shqiptarët si tek filmi “Taken” (Marko from Tropoja), do të shfaqet që prej këtij muaji në gjithë kinematë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas bashkë-producentit shqiptar Koloreto Cukali, regjisori William Kaufman ka tejkaluar veten: “Ky është filmi i parë aksion me standarde hollivudiane ku Shqipëria do të shfaqet me të mirat e të këqijat e veta. Qëllimi i filmit lidhet me transmetimin e Shqipërisë së vërtetë, me problemet e drogës dhe prostitucionit, por edhe me të mirat dhe heronjtë e saj."