Richard Gere, 69-vjeç, do të bëhet baba sërish. Lajmin e publikoi në Instagram bashkëshortja e tij, Alejandra Silva, përmes një fotoje ku duket ajo dhe Richard Gere dhe Dalai Lama që i prekin barkun e fryrë.
“Një moment shumë i veçantë,” shkruan ajo. “Duke bekuar foshnjën që pritet të vijë në jetë. S’jua thoshim dot, pa i thënë Dalai Lamës.”
Richard Gere, budist, është mik prej kohësh me liderin shpirtëror të Tibetit.
Muajin e shkuar u përfol se Alejandra dhe Richard ishin në pritje të fëmijës së parë. Thuhet se ata u martuan në prill.
Gere ka qenë më parë i martuar me supermodelen Cindy Crawford dhe aktoren Carey Lowell. Gere dhe Lowell kanë një djalë 18 vjeç bashkë, të quajtur Homer.
Silva gjithashtu ka një djalë nga një martesë e mëparshme, 5-vjeçarin Albert.