TV Mania

Turjan Hyska tregon gjithë ç'doni të dini mbi programet e reja në Tv Klan

14 Shtator 2018

Turjan Hyska tregon gjithë ç'doni të dini mbi programet e

Shumë shpejt, në Tv Klan do të nisin transmetimin dy programe të reja, “Duplex” dhe “Familja” , të dy nën autorësinë e Turjan Hyskës. Në një intervistë për Tvklan.al, Hyska foli për përgatitjet e fundit, të rejat e programeve dhe punën si drejtor i përgjithshëm në Klan Plus.

“’Duplex’ është një risi jo vetëm në skenografi, por edhe një përditësim shumë i madh i asaj që ne kemi bërë. Është po e njëjta strukturë, por me disa surpriza, hyrje të reja, do të ketë personazhe të rinj, do të ketë skenografi të re në aspektin e funksionalitetit. Nuk jemi më një apartament i vogël, por një ‘Duplex’ i madh. Raporti me të ftuarit do të ndryshojë. Humori do të jetë më mistrec, në sensin e vënies në siklet të aktorëve,” tha Hyska për “Duplex”, versioni i ri i “Apartamentit 2XL”.

Ndërsa për “Familja” që do të pasojë “E diela shqiptare”, tha:

“Te ’Familja’ do të luajnë tre ose katër anëtarë. Duhet të ketë fëmijë mbi moshën 10-vjeçare, që të bëjnë lojërat tona. Familja duhet të ketë dëshirën për të luajtur, si dhe duhet të kenë mbi të gjitha të ngulitur në kokë që familja është e shenjtë. Aty do të fitohen para. Raundi i fundit është i gjithi me para cash. Brenda një nate luajnë katër familje dhe fiton njëra. Të katërta do të përballen me njëra-tjetrën. Të katërta këto familje do të fitojnë çmime në vetvete, pra askush nuk del i humbur. Familja në fund rrezikon të ngelet dhe pa asnjë gjë, ose të fitojë shumë, kjo është pjesë e formulës së emisionit. Janë realizuar lojëra të mëdha fizike, skena është gjigande, përgatitur nga Gaetano Castelo. Besoj se do t’ia lëmë kohës, do të rritete dhe do të maturohet rrugës.”

Ndërsa pozicionit të tij si drejtor i përgjithshëm në Klan Plus, Hyska do t’i përkushtohet pasi të fillojnë programet e mëdha në Tv Klan.