Çmimet “daf BAMA Music Awards” janë një shfaqje ndërkombëtare dhe shumëkulturore e muzikës europiane, aziatike dhe afrikane me bazë në Hamburg dhe janë krijuar për të vlerësuar krijimtarinë e artistëve nga vendet e ndryshme të botës.
Siç mund ta shihni nga tabela në vijim, 5 këngëtarët shqiptarë që janë zgjedhur për kategorinë “Best Albanian & Kosovar Act” janë: Ardian Bujupi, Enca, Era Istrefi, Noizy dhe Xhensila Myrtezaj.
Me një karrierë të suksesshme në Gjermani, nuk është aspak surprizë që Ardian Bujupi të jetë pjesë e Top5;
të mos flasim pastaj për suksesin e këngës “Cika Cika” në bashkëpunim me Xhensila Myrtezajn, që deri tani konsiderohet si kënga më e klikuar e verës, që sigurisht ka ndikuar mjaftueshëm sa për t’i siguruar këngëtares një vend në klasifikim.
Noizy gjithashtu ka qenë aktiv gjatë gjithë vitit, duke sjellë vazhdimisht këngë të reja, herë projekte vetëm e herë bashkëpunime të suksesshme, për të arritur majën me “Toto” ft. Raf Camora, që deri më tani mban vendin e dytë si kënga e dytë më e klikuar e verës.
E njëjta gjë edhe për Encën, që paçka se nuk solli aq këngë sa Noizy, projektet si “Dua”, ku qe e para që përfshiu një skenë të nxehtë ku ajo puth të dashurin e saj të martuar, ishin ndër të më përfolurit dhe më të klikuarit.
Në fund dhe aspak për çudinë tonë, Era Istrefi. Era, e vetmja shqiptare që depërtoi në skenën botërore nëpërmjet YouTube-t me suksesin e “Bonbon”, arriti të ishte pjesë e këngës zyrtare të Kampionatit Botëror të Futbollit, në krah të Will Smith dhe Nicky Jam.
Për herë të parë, muzika shqiptare u bë pjesë e “daf BAMA Music Awards” një vit më parë, ku fitues i “Best Albanian Act” ishte Alban Skënderaj, ndërsa Ardian Bujupi rrëmbeu çmimin “Best Balkan New Act”.
Çmimet e këtij festivali janë të ndarë në 4 kategori kryesore:
- Çmimet speciale, si “Legend Awards”, “Lifetime Award”
- Çmime kryesore, si “Best Female Artist”, “Best Male Artist”, “Best Collaboration” etj
-Çmime kontinetale, si “Best European Male Act”, “Best Asian Female Act” etj
-Çmimet për çdo shtet përkatës.
Për të votuar artistin tuaj shqiptar të preferuar mund të klikoni këtu. Tani t’ju pyesim, cili mendoni se duhet ta fitojë?