Sot, 24-vjeçari Ritvan Zykaj, që vrau tetë persona të të njëjtës familje duke përfshirë dy fëmijë në Selenicë, doli përpara trupës gjykuese. Gazetarët u lejuan ta filmonin vetëm para fillimit të seancës dhe aty gjetën momentin për t’i bërë disa pyetje vrasësit që shokoi opinionin publik.
“Pse e bëre?” pyet dikush. “Je penduar?” një tjetër. “Pse i vrave?” “Po fëmijët pse i vrave?” vijojnë pyetjet nga njëra anë e xhamit.
Nga ana tjetër, Zykaj është i hutuar, vështrimi alternohet mes disa pikave; rastësoreve në boshllëk dhe gazetarëve që e pyesin. Asnjë përgjigje, për asnjë nga pyetjet.
Procesi gjyqësor për masën e sigurisë u vonua një orë, pasi asnjë avokat nuk pranonte të përfaqësonte “Monstrën e Selenicës”. Në fund, avokati Dritan Mehmeti pranoi ta mbronte 24-vjeçarin dhe kërkoi inspektim psikik.