Rozana Radit s’po i dilnin llogaritë se përse akademia “Kult” nuk e kishte nominuar për kategorinë e “Këngës më të Mirë të Vitit”. Pas reagimit të saj të ashpër në Instagram, ku shkruante se akademia ‘Kult” duhet t’i shikojë festivalet, kjo e fundit i është përgjigjur duke i thënë se të jesh fituese në festival nuk është kriter i jurisë së ‘Kult’.
I ftuar në “Jo Vetëm Modë” Ylli Sula, president i akademisë, tha se çmimet “Kult” janë promovim i vlerave, jo garë për t’u fituar.
“Çmimet Kult më shumë sesa garë janë promovim i prurjeve më të mira dhe vlerave më të mira. Ajo çka kishte thënë Rozana kam përshtypjen se vjen nga mosnjohja e procesit të Kultit. Kulti nuk është shumatore e fituesve të çmimeve të dhëna. Kulti liston këngët të cilat do të votohen dhe më pas nxirren kandidaturat.”, u shpreh ai.
Në kategorinë “Kënga më e Mirë” janë tre prej këngëve pjesëmarrëse tek “Kenga Magjike” e kaluar; Soni Malaj me “Për vete më mbaj”; Franc Koruni me “I shkreti mbret” dhe Arilena Ara me “Nëntori”.