Anonim të lutem

Lavazh apo ‘lavazh’? Emigrantët në Angli s'kanë folur kurrë më troç se kaq

24 Gusht 2017

Lavazh apo ‘lavazh’? Emigrantët në Angli s'kanë

Me lavazh, pa lavazh, shqiptarët kanë ëndrrën angleze dhe këtë e vërtetuan edhe një herë.

Gjatë temës: “Jam emigrant në Angli, çfarë punoj në të vërtetë”, në Anabel Facebook, erdhën aq shumë letra prej emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, sa ishte e vështirë t’i përzgjidhnim.

Dhjetëra shqiptarë që kanë shkuar në Angli treguan se çfarë pune bëjnë në të vërtetë dhe na sqaruan si qëndron puna e lavazhit, stigmës kryesore të emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Të pyetur nëse bëhej fjalë për lavazh (aty ku lahen makinat) apo “lavazh” (aty ku lahen paratë), kishte nga ata që mohuan kategorikisht të kishin “ndyrë duart” në ndonjë “punë të pistë” dhe këmbëngulën se kishin vuajtur e punuar “si kafshë” për të marrë ato letra.

Madje, disa akoma s’i kanë marrë, pavarësisht përpjekieve.

Lavazh apo ‘lavazh’? Emigrantët në Angli s'kanë

“Jetoj në Angli prej 5 vitesh dhe puna ime është lavazhier. Kam punuar 4 vjet nga 11 orë në ditë, madje ka patur raste edhe me 2-3 muaj pa një ditë pushim, saqë kur shkoja në shtëpi isha aq i lodhur, sa mezi i bëja vetes për të ngrënë.”, shkruan një ndjekës i Anabel, “Tani kam marrë një lavazh timin, po punoj shumë, por jo si më parë. Anglia vetëm paundët ka të mirë, asgjë tjetër, megjithatë kush të dojë të mos hezitojë të vijë, se sado e vështirë, më mirë se në Shqipëri është.”

Shumë prej letrave nga emigrantët rrëfejnë vuajtjet e fillimit, kur paguhesh shumë pak, si edhe mungesën e dokumentacionit, që ua bën gjithçka më të vështirë. Një djalë i diplomuar për drejtësi në Tiranë thotë se ka aplikuar 2 herë, por nuk i ka dalë viza. Kështu, u detyrua të shkonte në mënyrë të paligjshme. Tani punon kamarier.

“Unë mbarova drejtësi në shtet me rezultate shumë të mira. Aplikova 2 herë për vizë, por nuk ma dhanë. U detyrova të vija me lek. Tani punoj kamarier në një restorant, me letra fallco. Jam i kënaqur me lekët që marr, punoj shumë por mbi të gjitha jam shumë i lumtur. Anonim të lutem, se shikojnë “kolegët” avokatë, gjyqtarë dhe prokurorë.”

Shumë emigrantë u nervozuan kur panë paragjykimin e komentuesve ndaj letrave ku tregohej se ia kishin dalë gradualisht, me shumë punë dhe pa u bërë pjesë e rrjeteve të trafikimit.

“Kush ka letra, e vetmja gjë që di të bëjë është të hapet brinjësh, me live në Insta, me postime me rroba Stone Island dhe duken si shtëpia e fëmijës kur dalin 3 shqiptarë bashkë...

Të shikosh djemtë pa letra që punojnë, sakatohen dhe ecin gjithë frikë, duke u ruajtur nga policia e emigracionit, kanë paguar një qerre me lekë për të ardhur, dhe punojnë për të ndihmuar veten dhe familjen, dhe të dalin ca tipa që e bëjnë virale këtë punën e “lavazhit”, pastaj i diskriminojnë të gjithë si njerëz...”

“Dua të them se ka persona pa dokumenta, pa krah, pa mbështetje nga të afërm, është shumë e vështirë për ta. Pastaj, pjesa tjetër e shqipeve që punojnë “pa djersë” dhe mbajnë në shpatulla rrezikun...është tjetër muhabet.”

Lavazh apo ‘lavazh’? Emigrantët në Angli s'kanë
Shtëpia e një emigranti shqiptar në Britani: 'Anabel, ja ku jetoj, nuk shes mend si të tjerët'

Jo të gjithë shqiptarët që shkojnë në Angli merren me lavazh nga ai i tipit të dytë. Por ata që merren apo janë marrë, u treguan mjaft të sinqertë që të na shpjegonin se fitojnë mesatarisht 7000 paundë në muaj, duke kultivuar marijuanë në serat e tyre apo duke u marrë vetëm me shitje. Kjo s’do të thotë se janë “djem të këqinj”, thjesht duan të bëjnë para. Ç’të keqe ka? Letërshkruesi më poshtë na dërgoi edhe një foto, që ta kuptojmë më qartë ç’do të thotë të bësh para shpejt dhe lehtë në Angli.

“O Anabel, prsh. Këtu e kemi bërë si Lazaratin e 2-të me këtë punë merremi, por kjo nuk do të thotë se jemi djem të këqinj, thjesht duam të pasurohemi pak më shpejt,”

Lavazh apo ‘lavazh’? Emigrantët në Angli s'kanë

Dhe ja ku del edhe çështja e lavazhit:

“Përshëndetje Anabel, puna që bëj është lavazhier, ashtu siç e kanë filluar të gjithë patriotët e mi. Sot për sot ne kemi ndërmarrjen tonë, fitojmë shumë para. Aq sa kemi blerë kullota në Middlesbrough... Kam 3 vjet këtej.”

Një djalë bën shaka duke thënë se është roje deti:

“Unë jam roje deti, pres skafet kur hyjnë nga Hollanda prej shqiptareve”

Lavazh apo ‘lavazh’? Emigrantët në Angli s'kanë

Por si i gjejnë kontaktet për të hyrë në rrjetin e trafikimit të lëndëve narkotike? E thjeshtë, mjafton të njohësh një shqiptar dhe ai do të njohë patjetër një shqiptar tjetër që njeh një shqiptar tjetër. Megjithatë, në letrën e këtij djali që është përfshirë në të tilla “lavazhe”, tregohet sa shumë ndikojnë kushtet e vështira ekonomike të familjes, dhe se qëllimi kryesor është të bësh aq shumë para, sa të mund të shkëputesh.

“Kam 7 vjet në Londër. Ardhjen s’e pata të vështirë. Vështirësitë filluan kur erdha: krejt e kundërta nga ç’e imagjinoja! Ah, moj Anabel, ç’kam hequr! Isha vetëm 19 vjeç kur punoja në lavazh 12 orë në ditë, 7 ditë në 7, për të larë paratë e rrugës, sepse familjen e kisha në gjendje shumë të dobët, me borxhe deri në grykë.”

“Pas 2 vitesh sakrifica, lodhje, gjërat filluan të marrin për mirë. Një burrë, mik pas miku më futi në një shtëpi bari.rrezikova burgun. 8 muaj, shtëpia eci mirë, por kush jeton në UK e di se pakicat s’të falin. Shtëpia ra, po shyqyr Zotit kisha hequr ca para mënjanë dhe hapa punën time bashkë me një shok.”

Në fund, vendosi të shkëputej dhe të hapte- sepse mesa duket sjell fat- një lavazh prej vërteti.

“Shtëpia më eci, ngrita punë dhe ekonomia ime rritej dita-ditës. Erdhi një moment kur vendosa të hiqja dorë nga punë të tilla, se leku i kësaj pune është shumë i dhimbshëm dhe i rrezikshëm...

Sot që po ju shkruaj, kam një restorant dhe një lavazh të vogël.

Falenderoj Zotin për forcën që më dha, me të cilën arrita deri këtu. Të këqijat që kam hequr s’ia uroj askujt.”

Në qershor, National Crime Agency dha alarmin se bandat shqiptare kanë krijuar themele të forta në krimin e organizuar në Britani. Dhe nuk po flasim për “shtëpi bari”; sipas NCA-së, shqiptarët zotërojnë një pjesë të madhe të rrjeteve të trafikimit të kokainës në Londër.

Ndërkaq, shqiptarët zënë një pjesë shumë të madhe të emigrantëve që marrin ndihma nga shteti, veçanërisht gratë me fëmijë të vegjël.

“Kam 3 vite që jetoj në Angli. Fillimi ishte shumë i vështirë, pasi isha shtatzënë dhe kam kaluar shumë stres, pasi isha e vetme, pa ndihmë dhe nuk dija as gjuhën. Ka pak muaj që kam fituar letrat dhe jeta më ndryshoi për mirë.

Unë jetoj me ndihma, se kam dy fëmijë të vegjël dhe nuk mund të punoj akoma, pasi dua t’i rris njëherë.”

Britania e Madhe apo Mbretëria e Bashkuar, ofrojnë një jetesë shumë të mirë, nëse ke dokumentet. Në të kundërt, të duhet të punosh fort, të paguhesh më pak se ç’të duhen për të përballuar jetesën e shtrenjtë atje dhe të jetosh me frikë se mos të kapin.

Prandaj mbi 1 mijë shqiptarë kërkuan azil politik në 2015-ën, megjithatë Britania e Madhe tregohet shumë e prerë, duke refuzuar pjesën dërrmuese të kërkesave.

Sidoqoftë, ajo që na ra në sy në shumë prej letrave nga emigrantët, është se pavarësisht lodhjes dhe tëhuajzimit, pavarësisht se askush s’të pret krahëhapur me një post drejtues, në Angli jetohet shumë më mirë se këtu, pasi ke mundësi për t’u specializuar e për të fituar më shumë.

“Kam biseduar me menaxherin; në fund të shtatorit do nis kursin si ndihmës-inxhinier; kursin do të ma paguajë kompania. S’është ndonjë arritje e madhe, por për momentin për mua është shumë. Shpresoj që ambiciet t’i zgjeroj me kalimin e kohës.

Nuk pendohem që e lashë përgjysëm universitetin në Shqipëri! Besoj në një të ardhme më të mirë tani e tutje!”