“Imma është më e mirë se Garko.”
Eva Grimaldi nuk ka folur kurrë me kaq shumë dashuri për dikë, siç foli sot publikisht në “Domenica 5” për Imma Battaglia-n.
Për herë të parë, ato treguan si u njohën, si flirtuan e si u dashuruan, aq shumë sa nuk mund t’ia fshihnin më askujt. Eva pohon se është shumë e lumtur që këmbënguli me Imma-n; ishte aktorja ajo që i shkoi nga pas veprimtares së njohur të LGBT-së në Itali.
"Po, e kam gjuajtur unë. Ajo gjuan, ama unë peshkoj.”, tha Eva me shaka.
Nuk kishte ndërmend të hiqte dorë. Me Imma-n i ngjiti që herën e parë, me gjithë emocionet dhe fluturat në stomak. Ndërkaq, Imma nuk i kushtonte rëndësi.
“Ajo i takonte të gjithë, përveç meje. I thonin: “Të kërkon Eva Grimaldi”. Ajo thoshte: “E kush është Eva? Nuk e njoh!”
Grimaldi, e përfolur për marrëdhënie me disa prej burrave më të njohur të ekranit italian, mes të cilëve edhe sex symbol-i Gabriel Garko, nuk e kishte menduar ndonjëherë se mund të ndjente për një grua. Ishte një periudhë plot emocione të ndërlikuara për të.
“Unë qaja, e shikoja dhe mendoja: “Ç’njeri i bukur është!”, dhe qaja. S’e kuptoja ç’po më ndodhte. Është një grua shumë altruiste dhe unë e dija. Rrija me të dhe pas një ore e kapja veten duke menduar: “Zot, sa e mirë që është!”
Pasi u shoqëruan ca kohë bashkë, prapë ishte Eva ajo që donte të kishte patjetër diçka më shumë se miqësi mes tyre. Imma tregoi se puthja e tyre e parë ishte shumë e veçantë:
“Kishim lexuar një libër shumë të bukur që fliste për historinë e dy grave që dashuroheshin, dhe përshkruante puthjen e parë. Unë doja ta provoja.”
Pastaj, Eva rrëfeu emocionet si prej adoleshenteje që ndjeu pas puthjes së parë: fishekzjarre kudo!
“Ia kapa kokën dhe e putha. Pas puthjes ndjeva fishekzjarre kudo.”
Lidhja e tyre tashmë është pranuar dhe mbështetet nga familjet e të dyjave. Në një video-mesazh, mamaja e Imma-s shprehu krenarinë për vajzën e saj, një prej zërave më të fuqishëm për të drejtat e homoseksualëve në Itali.
“Jam jo krenare, por shumë krenare për time bijë. Kush nuk ka fëmijë, nuk mund ta kuptojë.”, dhe më pas, e përshkroi kështu Evën: “Eva është një grua e shkëlqyer. Rrimë bashkë, është një vajzë shumë e mirë.”
Për Evën ishte e vështirë: fillimisht familja e saj e kishte pritur me skepticizëm lidhjen e tyre. Por Imma e mbështeti, pa patur frikë nga gjykimet dhe tani, dy familjet e tyre kanë krijuar një marrëdhënie plot dashuri dhe respekt të ndërsjelltë.
“Ime më e dashuronte Imma-n. Kur nënat tona u takuan bashkë, krijuan një marrëdhënie plot dashuri dhe vlerësim.”, tregoi Eva për nënën e ndjerë, “Kur u tregova vëllezërve të mi, le të themi se nuk e pritën shumë mirë. Asnjë familje nuk e pret mirë lidhjen me dikë të së njëjtës gjini.”
Imma është mësuar të luftojë, por në këtë rast iu desh vetëm paksa durim:
“Unë e kuptova reagimin e tyre, i thashë Evës që duhet t’u jepte kohë. Unë jam Imma Battaglia, njihem sepse luftoj që gjëra të tilla të mos ndodhin. Por u gjeta në një situatë kur duhet t’i kuptoja. Nuk doja të fshihesha.”
“Kur familjet tona u takuan, pas shumë kohësh i vëllai i saj Francesco më përqafoi dhe me lot në sy më tha: “Më fal Imma, unë të kam shumë për zemër.”’