
Kur një fëmijë humb oreksin është shumë shqetësuese për çdo prind. Por nëse ai është përgjithësisht i shëndetshëm dhe i lumtur, nuk keni pse të shqetësoheni: humbja e oreksit tek fëmija është diçka që ndodh më zakonisht se sa do të donin nënat. Është më e thjeshtë për t’u thënë se për t’u bërë, por mundohuni ta mblidhni veten dhe të bëni gjënë e duhur. Ky problem kalon vetiu.
Në ç’moshë është e zakonshme humbja e oreksit?
Nuk ka statistika të qarta, por humbja e oreksit është më e zakonshme në moshat nga 2 deri në 5 vjeç. Refuzimi ndaj ushqimit ndodh edhe në fund të vitit të parë të jetës, kur fëmija nis t’u trembet shijeve të paprovuara.
Çfarë e shkakton humbjen e oreksit?
Oreksi ndryshon nga dita në ditë: edhe fëmijët e shëndetshëm kalojnë periudha kur nuk kanë oreks. Shkaku për këtë nuk para ka të bëjë me një gjendje shëndetësore. Megjithatë, ndonjëherë refluksi i acideve dhe vështirësia në dalje jashtë, problemet me tiroidet dhe mungesa e hekurit, mund të jenë shkaku pas humbjes së oreksit. Po kështu, mund të jetë efekt anësor i disa ilaçeve.
Në përgjithësi sëmundjet e largojnë oreksin; ftohma, grykët, mund ta lënë fëmijën tuaj pa ngrënë për disa ditë dhe kjo është krejtësisht normale. Gjithashtu, edhe dalja e dhëmbëve të rinj për shkak se jep dhembje dhe shije të keqe në gojë.
Një tjetër ndikues tek oreksi është edhe procesi i rritjes; kur rritja ngadalësohet, pra kur fëmija është më i madh, ulet edhe kërkesa e trupit për ushqim. Po kështu edhe ndryshimet në aktivitetin e përditshëm, si përshembull, kur nuk del të luajë për një kohë të gjatë, e bëjnë të kërkojë të hajë më pak.
Lufta për t’i ulur të hanë vakte
Përveç ndryshimeve në zhvillim, ka edhe faktorë emocionalë që shkaktojnë humbjen e oreksit tek fëmija. Ndërsa mësojnë të tregojnë çfarë duan dhe çfarë nuk duan, vaktet bëhen një çështje problematike. Ata zhvillojnë shijet e tyre personale për ushqimin dhe kjo është e pritshme për moshat e vogla. Disa fëmijë mund të bëhen shumë përzgjedhës përsa i përket ushqimit dhe kjo është një ndër arsyet kryesore të ankthit për prindërit. Megjithatë, mos e ktheni në qëllim në vetvete, duke e detyruar fëmijën të hajë me zor.
Edhe ngrënia e shumë vakteve të ndërmjetme, gjërave të vogla tek-tuk, i pret oreksin fëmijës. Vaktet e ndërmjetme apo lëngjet, si qumështi apo lëngjet e frutave, janë të shëndetshme, por kur teprohen, është e logjikshme që të mos ketë më vend në stomakun e tij të vogël për vaktin kryesor.
Këshillat më të rëndësishme për t’i nxitur oreksin fëmijës
Fëmijët janë të aftë t’i përcaktojnë vetë nevojat energjike dhe ushqimore, në bazë të rregullatorëve që brendshëm që ka organizmi. Nëse këmbëngulni që ai të hajë, mund të ketë efekt të kundërt, duke e bërë që ai ta refuzojë të ngrënët.
Ja çfarë do t’ju ndihmonte vërtet:
1. Servirini racione të vogla
Fëmijët kanë stomak më të vogël sesa të rriturit, ndaj nuk kanë sesi të hanë sa ne. 5 ose 6 vakte më të vogla, janë më të përshtatshme sesa 3 të mëdha.
2. Mundohuni të gatuani me sa më shumë vlera ushqimore
Kjo do të thotë se duhet të përgatisni vakte të vogla, ku elementet e duhur ushqimorë si: karbohidratet, yndyrnat, proteinat dhe vitaminat të jenë sa më të përqëndruara. Përshembull, mund të përgatisni një sanduiç të vogël që të ketë krem djathi, vezë, mish pule, dhe t’i jepni më vonë edhe një kos frutash.
3. Ndoshta ai nuk i kafshon dot të fortat, por ka ushqime të buta që përmbajnë vlerat e duhura ushqyese
Kur ka probleme me daljen e dhëmbëve dhe gojën e hidhur, fëmija i refuzon ushqimet sado pak të forta. Por ka edhe ushqime të buta, që përmbajnë vlera të mjaftueshme ushqimore, si supa e pulës.
4. Nxiteni të lëvizë më shumë
Nxirreni për shëtitje, çojeni tek lodrat, lejojeni të luajë me fëmijët përpara pallatit. Sa më shumë të lëvizë, aq më shumë do të kërkojë të hajë. Është një ndër mënyrat më efektive për t’i hapur oreksin.
5. Vëreni të zgjedhë vetëm mes ushqimeve që duhet të hajë, jo ato që do të hajë
Në vend që t’i jepni mundësinë të zgjedhë mes një varieteti gjërash që e ngatërrojnë dhe si përfundim do të kërkojë të hajë ato që ia tërheqin syrin dhe nuk e ngopin, jepini vetëm dy mundësi: “Do të hamë karota apo bizele sot?”
6. Dhe më e rëndësishmja, mos u panikoni!
Mos iu ktheni me të keq, mos e detyroni. Ai e di se kur i hahet dhe nuk do ta lërë veten të sharrojë. Nëse e detyroni, do të refuzojë. Nëse ia thoni me të butë, mund të presë pak dhe do ta kërkojë sapo të ndjejë uri. Është një ndër këshillat më të vyera të gjysheve tona!
Burimi: “BBC”