Ish-ylli i kripmjaltëzave, Ajsi Xhaxhaj ka rrëfyer sot pas shtatë viteve versionin e saj të historisë që tronditi opinionin publik shqiptar. Çuditërisht në të njëjtën orë, në emisionin “Rudina” ishte ftuar producenti Leonard Bombaj, personi që Ajsi akuzoi para shtatë vitesh se e kishte abuzuar seksualisht.
“Mendova që do ishte shumë më e drejtë të rritesha dhe të qetësohesha dhe më pas të prononcohesha. Kjo ngjarje hap shumë plagë të vjetra dhe rëndon prindërit dhe të afërmit e mi. Erdhi çasti që unë të tregoj disa detaje. Mediat kanë hedhur shumë baltë dhe mua më ka vrarë shumë dhe opinion i publikut. Unë nuk mundem dot t’u mbush mendjen të tjerëve për atë që ka ndodhur. Nëpër media është diskutuar sikur ai është shpallur i pafajshëm. Por, mediat nuk e dinë që padia ime nuk është marrë në konsideratë dhe nuk u hap një proces gjyqësor. Insitucionet nuk u munduan të shikonin provat. Unë këmbëngula të ndiqej si çështje, por nuk kisha ndonjë mbështetje të madhe.”
Ajo rrëfeu detaje nga historia duke thënë se abuzimi kishte nisur kur ajo ishte vetëm 10 vjeçe, por denoncimin e bëri vetëm pas pesë vitesh.: “Bëhet fjalë për pesë vite rresht. Shumë njerëz pyesin përse denoncova kaq vonë. Kjo gjë ndodh për arsye të ndryshme, njëra prej tyre ishe dhe karriera ime, të cilën e doja shumë. Kam një kërkesë për portalet që më kanë quajtur ‘vajza mashtruese që e bëri për famë’. Dua t’u them që nuk e kam bërë as për famë dhe as për lekë. Pas denoncimit, unë kuptova që s’kisha as llogari bankare. Paratë që mendoja se merrja, nuk ekzistonin. Kush do i vinte vetes një vulë që të ndjek gjithë jetën vetëm për një kapricio?"
E pyetur nga moderatorja Shehu sesi ishin sjellë autoritetet me të, ajo ka thënë se ka ndjerë mungesë respekti.
"Shpeshherë ka patur mungesë respekti dhe jam ndjerë keq nga autoritetet që më kanë marrë në pyetje. Kjo është hera ime e parë dhe e fundit që unë do të flas për këtë çështje, ndryshe nga pala tjetër që është munduar të hedhë baltë mbi emrin tim. Mendoj se koha shëron plagë dhe tregon si është e vërteta. Shtatë vite janë shumë. Më në fund pas denoncimit, unë vendosa të jetoja sipas mënyrës time duke qenë se si fëmijë jetova si dëshironin të tjerët” ka treguar Xhaxhaj që tashmë vazhdon shkollën e lartë për Administrim Politikash Sociale. Megjithatë ajo tregon se pasioni i saj për artin është ende i fortë dhe se shumë shpejt do e shohim në television.
Akuzat ndaj producentit Bombaj lindën shtatë vite më parë, vetëm pasi ky i fundit akuzoi Stresin se e kishte kërcënuar dhe i kishte vënë gjobë në këmbim të së vërtetës. Reperi ishte i pari të cilit Ajsi i tregoi historinë, pasi siç ajo vetë shpreh, ishte shumë e vështirë t’ua thoshte prindërve. Konflikti u rikthye disa ditë më parë, kur Stresi i hodhi producentit Bombaj një kovë me ujë në kokë në shenjë hakmarrjeje ndaj akuzave të pretenduara.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.