Showbiz dhe TV

Enada At'Nikolla kundër Bora Kokëdhimës: Kush kopjon kë?

13 Qershor 2016

Enada At'Nikolla kundër Bora Kokëdhimës: Kush kopjon

Në një artikull të publikuar së fundmi nga revista “Bordo”, në pronësi të stilistes Enada At’Nikolla, pretendohet nga kjo e fundit që stilistja Bora Kokëdhima ka kopjuar prej saj instalacionin e lules që modelja mban në kokë.

Sipas asaj që Bordo shkruan, në korrik 2015 lulja u përdor për reklamimin e parfumit At’Nikolla Prive, vendosur në kokën e modeles Xhesika Berberi, fotografuar nga fotografi Gejant Kaleci dhe e shfaqur në kopertinën e parë të revistës “Bordo”. “Gati një vit më pas, një imitim i këtij koleksioni, e mandej edhe një pozë vjen nga stilistja Bora Kokëdhima, që është prezantuar nën siglën Savage dhe fotografi Endrit Mertiri” shkruan “Bordo” referuar koleksionit pranverë-verë 2016, “Mushrooms”, që Kokëdhima prezantoi pak kohë më parë.

Por vetë fotografi Endrit Mertiri ka reaguar kundër akuzave të bëra me anë të një postimi në Facebook, ku thekson se ideja fillimisht ka qenë e tij. “Fotografia e parë daton më 30 tetor 2014 për revistën “Elegancë”, kohë kjo kur “Bordo” ende nuk ishte ngjizur.’ Ai e përforcon deklaratën e tij me anë të fotografisë ku shfaqet modelja Dorina Gegici me motivin e lules në kokë, fotografi e publikuar nga Endriti pikërisht në datën 30 tetor 2015. (foto 2)

Anabel.al kontaktoi edhe stilisten Enada At’Nikolla, e cila për gjithë këtë situatë ka thënë:

“Lulet nuk janë shpikur nga asnjëri nga ne. Po të kërkosh në internet kupton që revista në gjithë botën i kanë përdorur ato kahera nëpër kopertinat e tyre. Thelbi është tek editoriali, i cili është përsëritur”

Ajo ka shtuar gjithashtu që nuk bëhet fjalë për koleksionin e Borës, por për fotot e editorialit të realizuara për koleksionin e saj nga fotografi Mertiri. 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.