Showbiz dhe TV

Miss-i i parë i Kosovës, bukuria që theu çdo lloj tabuje!

7 Maj 2016

Miss-i i parë i Kosovës, bukuria që theu çdo lloj tabuje!

Ajo ishte 17 vjeç kur u kurorëzua si më e bukura në Kosovë e që atëherë, i është dashur të kalojë shumë gjëra të vështira. Afërdita Paqarada është Miss-i i parë kosovar, vajza që theu tabutë e 'zhveshjes' me bikini në publik, në vitin 1990.

'Ka qenë një thyerje akulli të dilje me bikini në atë kohë', ka rrëfyer ajo së fundmi për Prive, 'ka pasur natyrisht paragjykime, pasi ishte hera e parë që organizohej në Kosovë'. Ajo ka treguar se ka pasur shumë fjalë rreth saj, duke qenë e para kosovare që guxoi të dilte me rroba banje edhe në kompeticionet ndërkombëtare, por shprehet se paragjykime dhe fjalë do të ketë gjithmonë, derisa njerëzit të mësohen se ka hyrë një epokë e re.

Por ndeshja me paragjykimet do të pasohej nga një luftë shumë më e vështirë: në 2010-ën, ajo mposhti kancerin, një përvojë që do t'i ndryshonte jetën. 'Momenti kur e kupton se çfarë ndjenje është të ndahesh nga kjo jetë…është i vështirë. Sidomos kur keni detyrime dhe përgjegjësi për fëmijët', ka rrëfyer ajo më parë për Telegrafin. Afërdita është nënë e 2 fëmijëve, dhe thotë se tani ndihet më në paqe se kurrë, pas fitores së madhe për jetën.

Afërdita Paqarada është një ndër stilistet më të njohura në Kosovë; pasi studoi për dizajn grafik, ajo iu përkushtua botës së modës. Pasi iu rikthye jetës së zakonshme, ajo vendosi të sillte një sfilatë tërësisht kushtuar sensibilizimit të femrave për të luftuar kancerin. Miss-et dhe modelet më të njohura shqiptare, si Diellza Kolgeci, Agnesa Vuthaj, Armina Mevlani apo Suada Sherifi, sfiluan tullace.

Ndonëse për shumë vite mbahej mend si 'Më e bukura e Kosovës', një titull të cilin ajo e vendos gjithnjë në thonjëza, tashmë emri i saj ka marrë një përmasë krejt tjetër.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.