Çfarë po ndodh rreth nesh

Pranon vrasjen për herë të parë pas 15-vjetësh

28 Shkurt 2016

Pranon vrasjen për herë të parë pas 15-vjetësh

Në rubrikën “24 orë me…” tek “E diela shqiptare”, i dënuari me burgim të përjetshëm Marjan Rroku ka pranuar publikisht se ishte ai që kishte kryer vrasjen e Alda Canajt dhe nënës së saj Mbarime.  Moderatori Ardit Gjebra kishte zgjedhur që këtë rubrikë t’ja dedikonte një të burgosuri në burgun e Fushë Krujës.  Marjan Rroku, një ish student i ekselencës që kishte studiuar për Fizikë Speciale do të ishte shoku i tij i qelisë.

Në bashkëbisedim me Arditin, Rroku ka pranuar për herë të parë pas 15-vjetësh se e ka kryer vrasjen. Ai tregoi se ekzistojnë 3 versione të ngjarjes: një në Shqipëri, një në Amerikë dhe historia që ai do të tregonte për Arditin. “Alda nuk ka qenë e dashura ime. Nuk kishte lidhje as me trafikimin, ishte thjeshtë një shoqe,” filloi historinë. Ai tregoi se nuk kishte pasur asnjë lidhje sentimentale me vajzën, madje synimi ishte që ai të njihej me shoqen e saj. Për këtë çështje kishte folur edhe me babain e vajzës, edhe me nënën e saj. Në momentet kur ndodhi ngjarja, ai tha se nëna e saj e kishte sharë, ofenduar dhe qëlluar me çantë.  “Është diçka që nuk e shpjegoj dot. E kam gjithçka të paqartë. Që në atë moment çdo gjë është e turbullt në jetën time. Nuk e mbaj mend se ku ika, se nga ja futa vrapit,” tha Marjani pasi pranoi se i kishte vrarë ato me pistoletën e punës.

Pas ngjarjes së ndodhur në Shqipëri, nga viti 2001-2010 Marjani u zhvendos në Amerikë ku njohu dhe bashkëshorten e tij me të cilën ka edhe një djalë, Mathew. Ai lexoi edhe një letër shumë emocionuese të djalit të tij dhe tregoi se sa e vështirë ishte të jetonte larg familjes. Megjithëse fliste gati çdo ditë me ta, Marjani e ndjente shumë largësinë. 

Duke parë të folurin e tij si të një shkrimtari dhe rregullsinë në veshje, shumë njerëz kishin filluar të besonin se ishte i pafajshëm. Edhe pse ishte dënuar me burgim të përjetshëm, në 15 vjet Marjani nuk e kishte pranuar asnjëherë krimin.

Shfletoni galerinë për të parë fotot.