
Disa regjistrime zëri të papublikuara më parë, ku Michael Jackson shpreh disa mendime “intime” për fëmijët, do të bëhen publike në një dokumentar të ri televiziv.
Këngëtari dëgjohet duke folur hapur për ndjenjat dhe interesin e pazakontë që kishte ndaj fëmijëve, aq sa në një moment dëgjohet të thotë se po të mos kishte ata pranë ishte i gatshëm të hiqte dorë nga jeta e tij.

“Nëse do të më thoshe tani… Michael, nuk do të mund të shihje më kurrë asnjë fëmijë… do të vrisja veten,” thotë ai.
Menjëherë pas kësaj shtoi: “Fëmijët e duan personalitetin tim. Ndonjëherë kjo më shkakton probleme.”

Këto regjistrime krijojnë një këndvështrim të ri mbi lidhjen e ngushtë që Michael Jackson kishte me fëmijën që i mbijetoi betejës me kancerin, Gavin Arvizo, i cili më vonë e akuzoi për abuzim seksual gjatë një gjyqi penal në vitin 2005.
Dokumentari pasqyron gjyqin e atij viti, i cili u përqendrua në miqësinë mes atyre të dyve.
Gjatë vitit 2005, Michael Jackson u përball me disa akuza serioze, përfshirë ngacmim seksual dhe dehjen e një fëmije, si dhe komplot për mbajtjen peng të tij dhe familjes së tij. Në përfundim të gjyqit, ai u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Kompania britanike e prodhimit "Wonderhood Studios" ka siguruar këto regjistrime për dokumentarin e ri të Channel 4 me titull “The Trial” (Gjyqi), i cili transmetohet javën e ardhshme.
Një burim i brendshëm, që ka dëgjuar regjistrimet, tha:
“Ka diçka jashtëzakonisht të pazakontë dhe shqetësuese në fiksimin e Michael Jackson-it ndaj fëmijëve, veçanërisht ndaj atyre që nuk ishin të tij. Të dëgjosh zërin e tij duke folur për fëmijët në këtë mënyrë, duke pasur parasysh se ishte i akuzuar për ngacmim seksual, ngre shumë pyetje mbi shëndetin e tij mendor, gjendjen psikologjike dhe fatkeqësisht edhe mbi qëllimet e tij. Ky është Michael në momentin e tij më të sinqertë, duke na treguar edhe më hapur se ishte i ‘dashuruar’ pas fëmijëve dhe i fiksuar pas dëshirës për të qenë pranë tyre. Ai nuk shihte asgjë të gabuar në sjelljen e fëmijëve në shtëpinë dhe shtratin e tij, pa mbikëqyrjen e prindërve, duke i justifikuar këto veprime si miqësi dhe dëshirë për t'i ndihmuar ata. Ai madje shkonte deri aty sa arrinte të thoshte se shumica e fëmijëve të përkëdhelur prej tij binin në dashuri me të.”
Sipas burimit, këto shprehje të thëna nga një burrë beqar në të 40-at janë shumë shqetësuese.
Burimi shtoi gjithashtu: “Ka edhe pamje filmike të zbuluara, që tregojnë se si Michael u kujdes për Gavin gjatë betejës së tij me kancerin. Shumë mjekë mendonin se diagnoza e tij ishte vdekjeprurëse, por Michael nuk e humbi kurrë shpresën. Ai tregonte se i thoshte Gavin-it se për të dukej si një engjëll.”
Ndërkohë, producenti ekzekutiv, Tom Anstiss, tha se rrëfimet e këngëtarit në ato regjistrime janë shumë të vërteta, aq sa në disa pjesë teksa ai flet për fëmijët fillon të përlotet.


