
Do donim të kishim një hyrje po aq entuziaste sa kërcimi i Ledionit duke nisur mbrëmjen. S’e kemi.
#1. Peticion që Miri të zhbirësojë Selinin

Sepse siç tha dhe Arbri, po kërcejnë një valle pa muzikë. Miri refuzoi të pranonte se ndiente ndonjë lloj xhelozie që Selin po afrohet me Gimbon, por shtëpia s’e besoi. Për shembull, për përgjimin pas dere Miri tha se kishte pasur një arsye tjetër, jo përgjimin, por s’na e zbuloi as këtë mister.

Nga ana tjetër, as vetë Selin s’kishte ndërmend “të ndahej nga Miri”, kështu u shpreh ajo tekstualisht, duke na prerë krahët të gjithëve.
Gimbo ndërkohë i qëndron fjalëve se ka simpati për Selin, po duket se s’ka gjë që do e ndajë atë nga Miri.

#2. Përplasja Rogert-Selin
Sigurisht që arsyeja e përplasjes ishin ofendimet e Rogertit. Dje, u diskutua për akuzat e tij ndaj Selinit (që janë thjesht kaq për të qeshur) si: flirtuese me burra, 23-vjeçare me sugar daddy, me rroba të shtrenjta nga një burim i dyshimtë.
Gjithsesi, Selin ishte super e qetë dhe dukej se kishte fituar imunitet ndaj zhurmuesit të shtëpisë. Ky tjetri nga ana tjetër, këmbëngulte se e njihte Selin sepse bashkëshortja e tij kishte bërë muhabet një herë në një park me tezen e saj. Na shkriu Rogerti dje, ju thamë.
Dhe pastaj ndodhi dhe kjo nga hiçi:

Pasi na bëri për të qeshur, Rogerti u përpoq të na bëjë dhe ta simpatizojmë, duke thënë se ka pasur një jetë me vuajtje dhe është përballur me bullizim, po kemi frikë se nuk ia vari njeri për këtë pjesë.
#3. Miri hap kutinë e Pandorës
Avantazhi: takoi gocën, dhe s’e kemi fjalën për Selinin, ha ha ha.

Gjithsesi, takimi ishte aq i sikletshëm, sa as kur përkëdhelte Selinin s’na ka dhënë kaq sekëlldi Miri. Arsye duhet të jetë dhe fakti që asnjëri prej tyre s’fliste rrjedhshëm gjuhën e tjetrit, Miri pa gjermanishte hiç, vajza me shqipe të çalë.

Disavantazhi: Miri dëgjon ç’ka thënë babi (i vërtetë) i Selinit për të, pra pervers, zhigolo, e tjerë, e tjerë. Ndonëse s’u pyet, Miri na sqaroi se nuk është asnjëra prej të dyjave (!!!) dhe se i vinte keq për mendimin e babit të Selin. Kaq. S’ka gjë që i ndan ata të dy brenda, të përpiqen sa të duan familjarët jashtë.

#4. Mateo surprizon Brikenën
“Për mirë apo për keq?” është pyetja e duhur kur vjen puna te këta të dy. Jo për gjë, po Brikenës i iku fytyra kur pa se trëndafilat, arushin dhe këngëtarët jashtë ia kishte organizuar Mateo…domethënë, produksioni.

Një dron nga qielli që desh i ngriti dhe ata në ajër, me pyetjen “a do më japësh një mundësi” u shfaq dhe si përfundim Brikena pranoi. I dha Mateos një mundësi për t’u njohur.
Pyetje nga salla: A s’është kjo e vetmja gjë që kanë bërë ata për një vit, janë njohur?

E injorojmë totalisht këtë pyetje, ecim me zhvillimet. Brikena i dha dorën Mateos dhe e quajti arushin që ai (pra, produksioni) i dhuroi, me emrin Boli. S’ke çfarë bën Mateo, për ta bërë për vete duhet të shëndoshesh pak se Brikena është stoike në pëlqimin e saj të burrave me bark.

#5. Eliminohet Angelo
Jo se nuk pritej, po paska njerëz që kanë votuar më shumë Rogertin sesa Angelon, hmmm.

#6. Televotimi i radhës
Si lidere në fuqi, Selinit iu dha mundësia të nxirrte një nga grupet nga loja me kapjen e duarve në televotim. Dhe ajo zgjodhi grupin e vet. Meqënëse Rogerti do jetë gjithmonë në televotim, ajo duhet ta zëvendësonte me dikë nga grupi dhe Selin zgjodhi Gretën.
Ja tek e keni, një televotim kokë më kokë me Inën dhe Rogertin, na surprizoni të martën.
