
Michael Madsen, ylli i Hollywood-it, i njohur për rolet e tij në filmat e Quentin Tarantino-s si "Reservoir Dogs" dhe "Kill Bill", është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare. Aktori u gjet pa ndjenja në shtëpinë e tij në Malibu, Kaliforni, të enjten në mëngjes dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.
Mendohet se vdekja e tij erdhi nga shkaqe natyrale dhe autoritetet nuk dyshojnë për ndonjë veprim kriminal. Menaxheri i tij, Ron Smith, deklaroi se ishte e mundur që Madsen të ketë pësuar një arrest kardiak.
Karriera e Madsen zgjati mbi 40 vjet, me më shumë se 300 role, shumë prej tyre në filma me buxhet të ulët. Por momenti i tij më i paharrueshëm në ekran mbetet torturimi sadist i një oficeri policie në skenën famëkeqe të filmit “Reservoir Dogs” (1992), ndërsa vallëzonte nën tingujt e këngës "Stuck in the middle with you".
Ai u bë një bashkëpunëtor i rregullt i Tarantino-s, duke u shfaqur më vonë në “Kill Bill” dhe “The Hateful Eight”.
Në një deklaratë për mediat, menaxherët e tij, Ron Smith dhe Susan Ferris, së bashku me publicisten Liz Rodriguez, thanë:
“Në dy vitet e fundit, Michael kishte nisur disa projekte të jashtëzakonshme në kinemanë e pavarur, përfshirë filmat që pritet të dalin, ‘Resurrection Road,’ ‘Concessions’ dhe ‘Cookbook for Southern Housewives.’ Ai mezi po priste këtë kapitull të ri në jetën e tij.”
Ata shtuan:
“Ai ishte një nga aktorët më ikonikë të Hollywood-it, që do të na mungojë shumë.”
Gjatë një ceremonie për vendosjen e shenjave të duarve në TCL Chinese Theatre në Los Angeles, në nëntor të vitit 2020, Madsen kujtoi herën e parë që kishte vizituar Hollywood-in në fillim të viteve ‘80-të:
“Zbrita, dola për një shëtitje dhe u ndala të mendoja: mos ndoshta një ditë, në një farë mënyre, kjo do të bëhej pjesë e jetës sime? Nuk e dija. Nuk e dija çfarë do të bëhesha. Mund të isha bërë murator, arkitekt, pastrues plehrash… ose hiçgjë. Por pata fat. Pata fat si aktor.”
Michael Madsen ishte baba i gjashtë fëmijëve biologjikë – një vajzë nga një lidhje e hershme, dy djem me ish-bashkëshorten Jeannine Bisignano dhe tre djem me DeAnna Morgan – si dhe një djalë të birësuar nga martesa e mëparshme e DeAnna-s. Në vitin 2022, djali i tij Hudson Lee Madsen, i lindur nga martesa me DeAnna-n, humbi jetën tragjikisht në moshën 26-vjeçare pas vetëvrasjes.
Burimi: Euronews