
Një video virale ku dy lojtarë hokeji përfshihen papritmas në një përleshje po qarkullon në internet, dhe reagimi i familjes së njërit prej lojtarëve po i argëton shumë njerëzit.
Lojtari që mban fanellën me mbiemrin "Xhekaj" kuptohet natyrisht se ka origjinë shqiptare dhe kjo, duke injoruar plotësisht skenën e dhunshme, i ka bërë shqiptarët nëpër komente shumë krenarë.
Florian Xhekaj, 21 vjeç, është lojtar hokeji profesionist që luan si sulmues për Montreal Canadiens në NHL, liga më e madhe dhe më e njohur e hokejit mbi akull në botë. Ai është vëllai i vogël i Arbër Xhekajt, që gjithashtu është lojtar hokeji profesionist dhe luan për Montreal Canadiens.
Djemtë janë me origjinë pjesërisht shqiptare, babai i tyre është nga Drenica e Kosovës, kurse nëna me origjinë çeke. Kur kamera drejtohet te portretet e tyre pasi i biri gjakos kundërshtarin, mamaja duket shumë serioze, gati në zemërim, kurse babai fsheh emocionin dhe buzëqeshjen e madhe kur sheh se po fokusohet prej kamerës. Kjo, nuk u shpëtoi as komentuesve:
"Tipike reagimi i mamit dhe i babit," tha dikush. "Babi Xhekaj duket i lumtur, mami jo dhe aq," shtoi dikush tjetër duke qeshur.
Një tjetër komentues përshkroi gjithë skenën me pasion:
"Kamera zhvendoset te familja Xhekaj në tribunë teksa Floriani fillon të përleshet. Nëna ka fytyrë serioze, babai nuk mund të kontrollohet, ngrihet i entuziazmuar… por shpejt merr veten pas një shikimi të shpejtë nga nëna… motra e vogël përpiqet të fshehë buzëqeshjen pas dorës… dhe vëllai i madh buzëqesh nga veshi në vesh, mbështetet mbi bankinë, godet shkopin mbi bord dhe çmendet. Zot i madh, e dua këtë familje, me vlera të sinqerta dhe mbështetje të vazhdueshme! Ndeshje e shkëlqyer, guximi dhe vendosmëria e familjes Xhekaj ishte një faktor i MADH në suksesin e ekipit mbrëmë. Përfshirja 100% sjell motivim për të gjithë ekipin! Faleminderit! Ky është hokej, zemër!"
Ndiqeni momentin në videon e mëposhtme: