
Sot në mëngjes u zgjova pak vonë, si një ditë normale me shi dhe pashë grupin e gocave në WhatsApp teksa bombardohej me mesazhe. I bëra scroll ashtu instinktivisht, kur sytë ngecën te një lajm shokues: “Ndërron jetë Shpat Kasapi”. Për brezin tim, (1996) Shpati ka qenë një fenomen! Unë personalisht vdisja për këngën “Axhami”, “Valle Kosovare”, “Pa ty s’jetoj” etj dhe në fakt, lajmi ishte shumë tronditës për mua, pavarësisht se s’e njoh fare personalisht dhe i vetmi “kontakt” me Shpatin ka qenë shkrimi i lajmeve për të.
Ndaj, kërkova nëpër Reddit se pse në fakt, ishte kaq e trishtë për mua që të lexoja një lajm të tillë dhe vura re se shumë njerëz të tjerë e kishin përjetuar si ndjesi (për këtë u ndjeva më mirë). Kur një VIP ndërron jetë, përjeton ndjesi të shumta, të cilat nuk para i përjeton për qindra të pafajshëm që vdesin çdo ditë në botë. Megjithatë, një shpjegim ishte shumë i qartë!
Ne trishtohemi për VIP-at (sidomos në rastin e Shpatit, me të cilin jemi rritur) sepse ndihemi sikur i njohim!
Dashur padashur, jemi bërë pjesë e jetës së tij. E morëm vesh kur u martua, kur u divorcua, dramën pas divorcit dhe rishtazi, që mund të hynte në “BBVA 5”. Pra, edhe pse nuk pimë kafe për të, dimë për të dhe ndiejmë empati. Ndaj, kur papritur marrim vesh se ndërron jetë një person i tillë, shokohemi, sepse dreqi ta hajë, dje unë shkrova një lajm për të dhe ju e lexuat!
Vdekja është e trishtë
Po, sigurisht që është! Pamundësia për të parë më një person, qoftë në kafenenë e përditshme apo qoftë në ekran është shteruese. Por, edhe ne njerëzit, si qenie sociale, priremi të lidhemi përmes trishtimit. Një punë të jashtëzakonshme për këtë bëjnë edhe reagimet e njerëzve të tjerë të famshëm, familjarëve, fakti që kishte një djalë të vogël, kujtimet, hallet e tij, detajet mbi vdekjen. Papritur, truri ynë merr kaq shumë informacion mbi vdekjen e këtij personi të famshëm sa është e vështirë të mos prekesh.
Rikujtohemi se “sot je, nesër s’je”
Duke lënë mënjanë fansat e vërtetë dhe besnikë që me të drejtë ndiejnë boshllëk kur idhulli i tyre ndërron jetë, ndoshta të tjerët trishtohen nga humbja e dikujt që e “njihnin nga larg”, sepse vdekja e tij na detyron të ndalemi dhe të reflektojmë mbi vdekshmërinë dhe na rikujton se jetën s’e ke të garantuar. Askush s’është imun ndaj vdekjes!


