“Fëmijërinë time e ka shënjuar përkujdesja e stërgjyshes, motrës dhe një kushërirës së saj,” shprehet Blendi Fevziu në një intervistë për Bordo. “Qenë tre plaka të fisme të diplomuara në Vienë dhe Firenze pas Luftës së Parë Botërore dhe që kishin një horizont për botën shumë më të gjerë se sa shumica e njerëzve të lindur dhe të rritur nën regjimin komunist. Ato qenë guida ime e parë në jetë dhe e paharruar.”
Aq thellë u ngulit imazhi i tyre në kujtimet e Fevziut, sa ai ka vendosur të publikojë një libër dedikuar fëmijërisë. Libri sapo ka përfunduar dhe do të botohet së shpejti.
“Sapo kam mbaruar një libër për fëmijërinë time mes këtyre 3 plakave të jashtëzakonshme dhe filozofinë me të cilën ato përballnin jetën,” shton ai. “Sidomos në fund të saj, kur ato kishin luksin të bënin bilancin se çfarë kishin bërë mirë dhe keq në jetë dhe të ma ofronin çdo korrigjim të saj në formën e këshillave për mua.”
Për Blendin, fëmijëria është “periudha kur merr vulë e ardhmja e gjithsecilit”. Sipas tij, “më tej shumë gjëra varen nga fati, por përveç fatit, në fëmijëri projektohet e ardhmja e gjithsecilit.”
Gazetari nuk zbuloi si do të quhet vepra e radhës, që vjen pas disa librave të botuar si: “Jeta ime...intervistë me Blendi Fevziun”, “100 vjet – një ekskursion në politikën shqiptare 1912-2012”, “Enver Hoxha”, “50 + 1”, Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, “Pushteti” etj.