
BE nuk do ta "ndëshkojë" Izraelin për veprimet në Gaza, por do të monitorojë nga afër zbatimin e marrëveshjes së fundit
Bashkimi Europian nuk do të marrë masa ndëshkuese ndaj Izraelit për veprimet e tij në Rripin e Gazës, por do të ndjekë me vëmendje zbatimin e një marrëveshjeje të fundit për përmirësimin e ndihmës humanitare në territor, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, gjatë një konference për shtyp pas takimit të 27 ministrave të BE-së në Bruksel.
Ministrat u mblodhën për të diskutuar marrëveshjen e ndërmjetësuar javën e kaluar me Izraelin, që synon rritjen e numrit të kamionëve me ndihma dhe hapjen e disa pikave të reja kalimi për ndihma në Gaza. Ata shqyrtuan gjithashtu një listë me 10 masa të mundshme, përfshirë pezullimin e udhëtimit pa viza dhe ndalimin e importeve nga vendbanimet hebraike, si përgjigje ndaj shkeljes së Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
"Izraeli duhet të ndërmarrë hapa më konkretë për të përmirësuar situatën humanitare në terren," tha Kallas.
Kryeministri i Ukrainës jep dorëheqjen
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka dorëzuar dorëheqjen e tij të martën, duke shënuar hapin e parë zyrtar drejt një riformatimi të gjerë të qeverisë së presidentit Volodymyr Zelensky, që mund të përfshijë edhe zëvendësimin e ambasadorit të Ukrainës në Uashington.
“Po paraqes dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Ukrainës,” shkroi Shmyhal në një letër të publikuar në faqen e tij në Telegram.
Presidenti Zelensky njoftoi një ditë më parë se i ka propozuar postin e kryeministres Yuliia Svyrydenkës, 39 vjeçe, aktualisht zëvendëskryeministre dhe ministrja e parë grua e ekonomisë në vend.
Svyrydenko ka luajtur një rol kyç në negociatat për marrëveshjen minerare SHBA–Ukrainë dhe ka përfaqësuar shpesh Ukrainën në bisedime të nivelit të lartë me partnerët perëndimorë, veçanërisht në fushat e mbrojtes, rimëkëmbjes ekonomike dhe rindërtimit.
Mbretëria e Bashkuar zhvendosi fshehurazi mijëra afganë fshehurazi
Mijëra shtetas afganë janë zhvendosur fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar pas një rrjedhjeje të të dhënave nga ushtria britanike, që bëri publike identitetet e tyre dhe ngjalli frikë se mund të bëhen shënjestër e talebanëve.
Një bazë të dhënash me rreth 19,000 afganë që kishin aplikuar për të kaluar në Britani pas marrjes së kontrollit nga talebanët në vitin 2021 u publikua gabimisht në vitin 2022 dhe pjesë të tij u publikuan më vonë në internet, njoftoi të martën Sekretari i Mbrojtjes, John Healey.
Në përgjigje, qeveria konservatore e atëhershme ngriti një program sekret për të sistemuar këta afganë, shumë prej të cilëve kishin bashkëpunuar me forcat britanike.
Rreth 4,500 persona, 900 aplikantë dhe afërsisht 3,600 anëtarë të familjeve të tyre, janë sjellë në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të programit dhe rreth 6,900 persona pritet të zhvendosen deri në kohën e përfunimit të programit, me një kosto totale prej 850 milionë paundësh (979 milionë euro).
Rusia sulmon Ukrainën me dronë një ditë pas ultimatumit 50-ditor të Trump për marrëveshjen e paqes
Forcat ruse kanë ndërmarrë sulme me dronë në disa rajone të Ukrainës gjatë natës së të martës, duke çuar në pesë numrin e viktimave që nga e diela, sipas autoriteteve lokale.
Në Dnipro, mbetjet nga dronët dëmtuan një pallat banimi, gjashtë shtëpi dhe një shkollë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Disa distrikte të rajonit të Dnipropetrovskit u goditën gjithashtu nga dronë të tipit Shahed dhe FPV.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, njoftuan të hënën dërgesa të mëtejshme armësh për Ukrainën, të cilat do t’i prodhojë SHBA-ja dhe do t’i paguajnë vendet europiane të NATO-s.
Trump tha gjithashtu se po i jep Rusisë 50 ditë për të arritur një marrëveshje paqeje, ose do të përballet me ato që ai i quajti sanksione ekonomike “shumë të ashpra”.