Dy vite më parë, sot 18 vjeçe, një vajzë u konsiderua e humbur nga prindërit, ndërkohë që pasi u kthye në shtëpi, gjashtë muaj më vonë, u tha prindërve se kishte qenë me dajën, me të cilin kishte pasur edhe një marrëdhënie. Gazetarja Anila Hoxha zbuloi për Top Channel se teksa të gjithë kërkonin 18-vjeçaren, daja hiqej sikur nuk dinte gjë dhe shëtiste mbesën nëpër qytete të Shqipërisë.
Referuar dokumenteve të siguruara nga Hoxha, zhdukja e 18-vjeçares ka ndodhur në vitin 2018, kohë gjatë së cilës ka qenë e mitur dhe referuar deklaratave në polici, “nuk e ka kuptuar rëndësinë e veprimeve të kryera”.
Vajza, për të cilën nuk është bërë publike vendbanimi për të ruajtur privatësinë, është shkëputur nga daja në dhjetor të 2018-s dhe ka refuzuar takimet me të. Gjatë kësaj kohe, ai e përndiqte fizikisht dhe përmes komunikimeve virtuale njëkohësisht. “Ti duhet të vish me mua në Gjermani. Unë e kam djegur jetën time për ty dhe ti duhet ta djegësh jetën tënde për mua; unë të kam ndihmuar. Atje nuk na njeh askush,” mësohet të ketë thënë daja përmes mesazheve.
Ky i fundit u arrestua për përndjekje dhe marrëdhënie seksuale në gjini dhe Prokuroria e Tiranës kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 4 vite burg.