
Gazetarja e njohur Klodiana Lala, e cila njihet për stilin e saj të drejtpërdrejtë dhe angazhimin në çështjet më të ndjeshme të kronikës, këtë herë u shfaq ndryshe në “The Dalina Show”, në Andale Media. Në një bisedë të sinqertë dhe personale, Klodiana foli si rrallëherë për jetën e saj në çift, për bashkëshortin, dashurinë, përkëdhelitë dhe ato momente të vogla që mbeten jashtë kamerave.
E pyetur nga Dalina se si është Klodiana në një marrëdhënie, nëse “e zbut” ndonjëherë bashkëshorti apo e përkëdhel, ajo u përgjigj me buzëqeshje:
“Si të gjitha vajzat apo gratë. Të gjithë thonë 'si ka mundësi, si e duron ai këtë'. Mbaj mend një koleg kishte shkruar 'sa më dhimbset burri i Klodiana Lalës'.”
Por duket se balanca funksionon mirë mes tyre:
“Kemi gjetur një të mesme të artë dhe ajo e mesmja e artë është: kur unë jam kështu e grindur, është ai njeriu që më tërheq dhe më thotë stop. Kur është ndonjëherë ai, sepse njeri është dhe ai, ka momentet e veta, e zbus unë. Kështu që kemi gjetur, jemi në atë peshoren që një herë anon nga unë një herë nga ai. Dhe është interesante.”
Në lidhje me romancën, gazetarja surprizoi kur tregoi një anë të bukur të bashkëshortit:
“Unë se kam thënë kurrë, bashkëshorti im është njeri surprizash dhe më përkëdhel në këtë aspekt, e para. E dyta, unë mund të jem gruaja e vetme në Shqipëri që ka marrë kaq shumë lule sa kam marrë unë. Merrja pafundësisht lule derisa unë ia ndalova, i thashë 'Po më solle më lule, unë do t’i hedh në kosh.'
Vijon edhe sot, kur nuk është në Shqipëri për shembull, merr vajzat dhe thotë 'Do shkoni të blini lule për mamin'. Përgjithësisht te trëndafilat qëndron.”
Në fund, Klodiana pranoi me sinqeritet:
“Do isha shumë e pandershme po të thosha që një gruaje nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes.”