
Sa herë që një grua fsheh kamerën dhe xhiron fshehurazi partnerin duke i thënë se “ka parë një zog”, interneti ndalet dhe e sheh videon deri në fund, për të zbuluar “të vërtetën”. Reagimi i tij, në mendim të parë, i parëndësishëm, ka krijuar atë që njihet tanimë në botën virtuale si “teoria e zogut” dhe është bërë testi suprem për të kuptuar nëse një marrëdhënie do të zgjasë apo jo. 
 
“Teoria e zogut” është prezantuar në vitet ’90 nga psikologu John Gottman dhe propozon se mënyra se si një partner përgjigjet ndaj gjërave të vogla në lidhje (p.sh., të ndash një vëzhgim për një zog) tregon shumë për besimin dhe komunikimin brenda lidhjes. Këto komente, në dukje të vogla, klasifikohen si “propozime për lidhje.”

 
Ato janë mundësi për çiftet të vërejnë gjërat e vogla që emocionojnë njëri-tjetrin dhe të përgjigjen me mirënjohje dhe afirmim. Por kujdes! Përpara se ta konsideroni këtë si një trend viral, pa bazë, dijeni që kërkimet mbështesin vlefshmërinë e kësaj teorie. 
 
Sipas një studimi të Gottman Institute mbi të sapomartuarit, çiftet që qëndruan të martuar pas gjashtë vitesh patën ndërveprime me gjërat e vogla në 86% të rasteve, ndërsa ata që u ndanë para gjashtë viteve, ndërvepruan vetëm në 33% të kohës.


 
Në rastin e “teorisë së zogut”, nëse subjekti i testit injoron komentin për zogun ose e trajton atë si një shaka të panevojshme, përgjigjja mund të sinjalizojë probleme më të thella komunikimi dhe mungesë vëmendjeje reciproke. 
 
“Teoria e zogut” po përballet me një valë popullariteti si një “test” i marrëdhënieve dhe sigurisht, po bën xhiro nëpër rrjetet sociale. Ky trend ushqen dëshirat vëzhguese të përdoruesve të rrjeteve sociale.
“Kur vëzhgime/gjeste të vogla për lidhje përballen me rrotullime të syve, sarkazëm ose kritika të ashpra, nuk është një veçori e padëmshme. Është një shenjë që diçka më e thellë ka nevojë për vëmendje”, thotë Audra Nuru, ekspert i komunikimit në çift.
Por, edhe çiftet më të shëndetshme mund ta lejojnë ndonjëherë të injorohet një “propozim për lidhje”. Pra, a është e drejtë të trajtohet “teoria e zogut” si një test i papërsëritshëm i marrëdhënies dhe të reagojmë aq fort ndaj videove të çifteve që “dështojnë”?

“Po dhe jo. Asnjë moment i humbur nuk do të thotë që një marrëdhënie është e destinuar të dështojë. Jetëgjatësia e një marrëdhënieje nuk matet nga kalimi ose dështimi i një testi viral. Ajo ndërtohet përmes vëmendjes së përsëritur dhe të përgjegjshme”, thekson psikologu.
Ndaj, duhet ta testosh disa herë si teori. 
 
Pra, merre seriozisht “teorinë e zogut”, pasi ka diçka të vërtetë dhe se ka shumë rëndësi që t’i japim vëmendje partnerit në dëshirat e tij për të ndarë gjëra dhe për t’u lidhur më shumë. Por, mos lejo që një test që kryhet vetëm një herë të përkufizojë marrëdhënien tënde.
 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       