
Aktori Kevin Spacey u detyrua të bënte një reagim publik, duke sqaruar se nuk është i pastrehë, pas intervistës së fundit, ku thoshte se jetonte nëpër hotele dhe Airbnb. Në një postim në rrjetet sociale, Spacey u shpreh:
“Nuk e kam zakon të korrigoj median, pasi nëse do e bëja, nuk do kisha kohë për asgjë tjetër, por pas artikujve të fundit që pretendojnë se jam i pastrehë, e ndiej të nevojshme të reagoj, jo vetëm ndaj shtypit, por ndaj mijëra njerëzve që më kanë kontaktuar gjatë këtyre ditëve, duke më ofruar një vend për të qëndruar, ose thjesht për të më pyetur nëse jam mirë”.
Ai vijoi duke thënë se ishte prekur nga bujaria e njerëzve:
“Por nuk do të ishte e sinqertë nga ana ime që t’ju lija të besonit se jam vërtet i pastrehë në kuptimin e zakonshëm të fjalës”, tha aktori 66-vjeçar.
Intervista e tij me “Telegraph” mori një tjetër rrjedhë, pasi ai u shpreh se jetonte shumicën e kohës nëpër hotele dhe Airbnb, për shkak të punës.
“Në bisedën time me Mick Brown, gazetarin e mrekullueshëm … thashë që në thelb po jetoja në hotele dhe Airbnb dhe po shkoja atje ku ka punë. Ashtu siç bëja kur sapo kisha nisur këtë profesion. Kam punuar pothuajse në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë këtij viti dhe për këtë jam jashtëzakonisht mirënjohës.”
View this post on Instagram
Spacey theksoi se ka “shumë njerëz” që “jetojnë në rrugë”, “në makinat e tyre” ose ndodhen në “situata të tmerrshme financiare”, por ai nuk është në të njëjtën situatë.
“Dhe zemra më dhemb për ta. Por, është e qartë nga vetë artikulli se unë nuk jam një prej tyre, dhe nuk kam tentuar të them se jam”, saktësoi ai.
Ylli i “American Beauty” u shpreh gjatë intervistës së shumëpërfolur se situata e tij financiare “nuk është e mirë” pas një skandali për sulm seksual, të cilin ai e mohoi dhe u shpall i pafajshëm në gjykatë. Kevin shtoi se “kostot gjatë këtyre shtatë viteve kanë qenë astronomike.”
