
Shtatë vite pasi një skandal për sulme seksuale tronditi karrierën e tij, Kevin Spacey ka zbuluar se është i pastrehë.
“Po jetoj në hotele, në Airbnb, po shkoj aty ku ka punë,” i tha fituesi i Oscar-it për The Telegraph. “Nuk kam asnjë shtëpi, këtë po përpiqem të shpjegoj.”
Ai tregoi se gjendja e tij financiare është “jo e mirë” pas skandalit, i cili përfundoi me shpalljen e tij të pafajshëm ndaj akuzave nga katër burra në Mbretërinë e Bashkuar, por theksoi se “nuk shkoi kurrë deri në falimentim”. Sipas tij, “kostot e këtyre shtatë viteve kanë qenë marramendëse”.

Spacey, i cili ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë, tha se të ardhurat e tij kanë qenë minimale, ndërsa shpenzimet të pafundme. Për “anulimin” e tij në Hollywood, ai u shpreh:
“E kalon. Në mënyra të çuditshme ndihem sikur jam kthyer aty ku kam nisur, thjesht shkoj aty ku më çon puna. Gjithçka që kam është në magazinim dhe shpresoj që, nëse gjërat vazhdojnë të përmirësohen, të vendos ku dua të vendosem sërish.”
66-vjeçari u akuzua nga më shumë se 30 burra, mes tyre edhe aktori i “Star Trek: Discovery”, Anthony Rapp, për sjellje të papërshtatshme ose sulm seksual, me denoncimet që nisën në vitin 2017. Netflix përfundimisht e hoqi Spacey-n nga seriali i famshëm "House of Cards", i cili mbylli sezonin e fundit pa të.

Spacey u shpall i pafajshëm në korrik 2023 në një gjyq të profilit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk u gjet fajtor në asnjë padi civile të vitit 2022 në New York. Sipas The Telegraph, ai performoi këtë javë në një resort në Qipro, teksa përpiqet të rindërtojë jetën profesionale.
Gjatë publikimit të dokumentarit “Spacey Unmasked” në 2024, aktori mohoi sërish çdo akuzë kundër tij, duke thënë se nuk mund të lejonte më të sulmohej pa bazë.

“Mbaj përgjegjësi për sjelljen time të kaluar, por nuk mund e s’do të marr përgjegjësi për historitë e sajuara ose të ekzagjeruara,” tha ai. “Nuk i kam thënë kurrë dikujt se do t’i ndihmoja karrierën nëse më jep favore seksuale.”
Në maj të këtij viti, aktori mori një çmim për arritje në karrierë gjatë një eventi në Kanë, ku i quajti vitet e fundit “sfiduese”.
Burimi: Page Six