Shumica e frazave që na thonë gjyshet apo mamatë për shtatzëninë duket menjëherë që s’është e vërtetë. Një bark i ulët nuk do të thotë se fëmija është djalë apo vajzë. Nepset nuk i mbeten shenjë foshnjës dhe hëna s’ka të bëjë fare me ditën kur lind.
Vitet e fundit ama, një sërë studimesh ka gjetur se disa nga bestytnitë që na zënë veshët shpeshherë, janë në fakt të vërteta dhe të vërtetuara shkencërisht.

Në vitin 2003, studiuesit analizuan lindjet në një spital të Irlandës dhe vunë re se mesatarisht, nënat që lindnin djem kalonin më shumë se gjashtë orë me dhimbje. Nënave që lindnin vajza, u zgjasnin dhimbjet e lindjes më pak se gjashtë orë. Gjithashtu, gratë që sjellin në jetë djem kanë më shumë shanse për komplikacione gjatë lindjes.

Gjatë shtatzënisë, djemtë kërkojnë që nëna të hajë më shumë e të marrë më shumë kalori se ç’kërkojnë vajzat. Për më tepër, dieta para ngjizjes ndikon në seksin e fëmijës. Një studim i 2008-s, nga revista shkencore Proceedings of the Royal Society Basket, zbuloi se jo vetëm numri i kalorive para ngjizjes ndikon në shanset për të lindur djalë, por edhe lloji i kalorive. Tepricat e kaliumit ishin të lidhura me lindjen e djemve. Bananet janë plot me kalium dhe kështu lindi bestytnia.

Jo të gjitha foshnjet lindin me kokën plot me flokë, por ato që lindin, u shkaktojnë nënave të tyre djegie të forta urthi. Në 2006-n, studiues nga Johns Hopkins University zbuluan pikërisht këtë. Gratë shtatzëna që ata kishin nën vrojtim, raportuan djegie mesatare ose të forta urthi dhe lindën fëmijë me më shumë flokë sesa norma. Gratë që nuk u ankuan për djegie urthi, ose refluksi acidi, lindën fëmijë pa flokë ose me pak flokë. Ky korrelacion ama, nuk është rasti tipik i shkak-pasojë. Të dyja simptomat, edhe flokët e foshnjes, edhe djegia e urthit tek nëna, shkaktohen nga një faktor i tretë: hormonet e shtatzënisë.