
Iryna Zarutska, 23 vjeç, e cila kishte emigruar nga Kievi për t’i shpëtuar luftës së egër në Ukrainë, u vra me thikë gjatë një udhëtimi me tren në Charlotte, Karolina e Veriut.
Sulmuesi i dyshuar, Decarlos Brown Jr., 34 vjeç, u arrestua më 28 gusht dhe po përballet me akuza për vrasje në gradën e parë, si dhe akuza federale për “vepër që shkakton vdekje në një sistem transporti masiv”, me mundësinë e dënimit me vdekje.

Ngjarja e tmerrshme ka tronditur komunitetin lokal dhe autoritetet e SHBA-së e kanë cilësuar sulmin një akt “terrorist”. Zyrtarët thanë se Brown është një person me precedentë penale dhe ka kryer krime të tjera të dhunshme më parë. Ai ka qenë i arrestuar në vitin 2014 për grabitje me armë dhe posedim armësh nga një person i dënuar, duke u dënua me pak më shumë se pesë vjet burg.
Sipas dëshmive, Brown nuk e njihte Iryna-n dhe gjatë sulmit, nxori një thikë nga xhepi, ndaloi për një moment dhe më pas goditi vajzën nga hiçi tre herë në qafë. Viktima u rrëzua menjëherë dhe u shpall e vdekur në vendngjarje. Një dëshmitar identifikoi sulmuesin dhe ndihmoi autoritetet të gjurmonin vendndodhjen e tij.
Iryna kishte ardhur në SHBA së bashku me nënën, motrën dhe vëllain për të filluar një jetë të re larg luftës dhe e kishte përqafuar shpejt jetën në Amerikë. Familja e saj ka vendosur që ajo të prehet në tokën amerikane, pasi dashuria për vendin e ri ishte bërë pjesë e saj.

Prokurori i SHBA-së, Russ Ferguson, tha se “ky sulm brutal ndaj një gruaje të pafajshme është një sulm ndaj mënyrës së jetesës amerikane. Iryna meriton drejtësi dhe ne do ta sjellim atë për të dhe familjen e saj.”
Asistentja e Prokurorit të Përgjithshëm, Pamela Bondi, shtoi se Brown do të ndiqet penalisht dhe federalisht për shkak të historisë së tij të dhunshme dhe se synohet dënimi maksimal. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e quajti ngjarjen “një akt i turpshëm që nuk duhet të ndodhë kurrë në Amerikë” dhe theksoi se sulmuesi nuk duhet të lirohet kurrë nga burgu për të vrarë përsëri.
Rasti ka tronditur edhe qytetin e Charlotte-it, ku autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në stacionet e trenave, ndërsa procesi gjyqësor i Brown pritet të fillojë më 19 shtator.
Burimet: People, AP