
E ftuar në "Rudina" në RTV Klan, Jonida Maliqi ka folur edhe një herë pas shumë kohësh për divorcin nga ish-bashkëshorti, që ndodhi para më shumë se 8 vitesh.
Si fillim, Jonida theksoi se ajo dhe ish-bashkëshorti janë njohur në moshë fare të re, ndaj ndasitë me kalimin e viteve nuk ishin kaq të panatyrshme:
“Unë jam lidhur në moshë fare të re, unë jam lidhur në moshën 17-vjeçare dhe kam kaluar 17 vite me babain e Danit. Jam divorcuar në moshën 34-vjeçare, sigurisht që Dani ishte shumë i vogël, ishte 5 vjeç dhe kisha nevojë për të qenë familje."
Dhe tani ajo reflekton se pikërisht mosha e re ishte një ndër faktorët që çoi në ndarje:
"Megjithatë ishte një zgjedhje ku mendoj që erdhi si pasojë e kohës kur njihesh në moshë fare të vogël, njerëzit fillojnë mendësojnë ndryshe, reagojnë ndryshe, evoluojnë dhe ti nuk je më ai personi që ke qenë dikur; dhe sidomos ne nënave, grave na ndodh një lloj metamorfoze dhe fillojmë e shikojmë me një tjetër këndvështrim, prioritet është fëmija, jo më vetja jote.”
Në fund, Jonida shpreh se një vendim që vendos si prioritet dinjitetin dhe mirëqenien tënde, ndonëse mund të çojë në ndarjen e çiftit, është gjithmonë më i shëndetshmi:
“Kështu që mendoj më mirë të jesh në një familje të minimizuar, por të jesh i lumtur brenda katër mureve të shtëpisë, sesa të kesh pasiguri, të kesh konflikte dhe mos të jesh në paqe me veten.
Mendoj që divorci nuk është i thjeshtë, në mënyrë absolute, por nuk është edhe fundi i botës. Ne kemi lindur vetëm dhe vetëm do të vdesim. Unë mbi të gjitha dua më së shumti veten time dhe kur dua veten time do të dua çdokënd që do të më respektojë, do të më vlerësojë dhe do të rrugëtojë me mua në të mirë e në të keq.
Mendoj që dy prindër duhet të jenë pranë njëri-tjetrit në të mirë dhe në të keq.”



