Pas "vranësirave" nga lajmet në media kohët e fundit, për përçarje dhe konflikte të brendshme në koalicionin qeverisës, duket se koha u çel dhe dielli doli në koktejlin për përvjetorin e 5-të të emisionit "Tonight Ilva Tare" që u organizua mbrëmjen e të enjtes (28 Janar) në Hotel "Tirana International"
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta u fotografuan të qeshur dhe me të dashur se kurrë, duke shkëmbyer batuta me njëri-tjetrin. E njëjta gjë ndodhi edhe me politikanët e tjerë të pranishëm të dy kaheve. Mund të ketë qënë edhe efekti i Ilvës, një prej gazetareve më luftarake dhe energjike në median shqiptare gjatë dy dekadave të fundit, e cila këto 5 vjet në programin që mban emrin e saj, ka pasur të ftuar të gjithë njerëzit më me influencë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit, si edhe figura të rëndësishme të gazetarisë ndërkombëtare.
Edhe pse mbrëmja kishte motiv kryesor, përvjetorin e programit që transmetohet në "Ora News", numri i madh i të ftuarve të rëndësishëm, tregoi një vlerësim për punën e gazetares ndër vite.
Tare është një ndër gratë e para që spikati në media dhe solli një model të ri në drejtimin e edicionit të lajmeve, që më pas do të frymëzonte edhe shumë vajza të tjera.
Ajo luftoi kundër lajmeve të gatshme nga prompteri (aparaturë ku shfaqen tekstet e lajmeve dhe lexohen direkt nga folësit) dhe imazhit të "spikeres-kukull" duke qënë jo vetëm në kontakt me ngjarjet në terren në përditshmërinë e saj, por edhe në kontroll të gjithë departamentit të informacionit, si drejtorja e parë dhe e vetme femër e informacionit, fillimisht në televizionin "Vizion Plus" e më pas në "Ora News"
Pas largimit nga Vizion Plus, Ilva realizoi për një sezon programin e mëngjesit informativ "Ora 7" në TV Klan, për t'u shkëputur për studime pasuniversitare në një prej shkollave prestigjioze të Britanisë së Madhe, London School of Economics (LSE).
Pas kthimit të saj nga Londra, ajo iu rikthye pozicionit si drejtore informacioni në televizionin e ri "Ora News" dhe ndihmoi të krijonte një standart më perëndimor në pasqyrimin profesional dhe paanshëm të lajmeve, duke e renditur këtë televizion ndër më të besueshmit për informacion në Shqipëri.
Të ftuarit në mbrëmje vlerësuan profesionalizmin dhe ekuilibrin në pasqyrimin e ngjarjeve të rëndësishme të vendit nëpërmjet intervistave dhe debateve në "Tonight Ilva Tare" dhe guximin e gazetares Tare për të kërkuar të vërtetën, përtej deklaratave publike të politikës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig tha se “Ilva ka nuhatje të mirë për tema të duhura dhe e bën punën me profesionalizëm të spikatur dhe plot energji. Të ftuarit në emisionin e saj ndeshen me një ndërthurje çarmatosëse paanësie dhe këmbënguljeje, shpejtësie dhe sharmi.”
“Tonight Ilva Tare” transmetohet çdo të hënë dhe të mërkurë në orën 21:00 në Ora News.