“Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë” thotë një shprehje e vjetër, për të cilën 28- vjeçarja nga Gjakova, Saranda Hoda është prova e gjallë që PO, ç'nuk ta marr jetën, të shtyn ta jetosh akoma më shumë atë.
E ftuar pasditen e djeshme në “Ftesë në pesë”, Saranda, apo siç ndryshe njihet, Sasa tregoi se si jeta e vështirë dhe sfidat e njëpasnjëshme nuk mundën dot ta mbanin larg ëndrrave dhe qëllimeve. Tre vite më parë, jeta e saj ndryshoi nga një sëmundje e rrallë. Ndër 16 rastet në botë, Sasa ishte e vetmja që ia doli të mbijetonte, pas ndërhyrjes kirurgjikale. Pavarësisht shenjave fizike që sëmundja i la, Hoda i vlerëson ato tejmase pasi tregojnë forcën dhe vuajtjet që i janë dashur të kalojë.
Edhe pse për një vit, plagët e saj qëndruan të hapura dhe siç vetë u shpreh “gjatë gjithë kohës rridhnin gjak”, Sasa vendosi të vazhdonte jetën dhe të ndante eksperiencën e saj me njerëzit.
“Si një 25- vjeçare mendova do jetoj, do dukem bukur, do vishem, do punoj.”
Ndonëse jeta nuk është treguar fort bujare me të, Hoda është përpjekur dhe ka mundur të përballet me çdo sfidë të ashpër. Po kështu, gruaja rrëfeu edhe historinë e saj të trishtë familjare; ku në jetë erdhi si një fëmijë jashtëmartesor, u braktis nga nëna biologjike dhe u rrit me familjen e të atit (gruan e tij dhe fëmijët, gjyshërit). Deri në moshën 17- vjeçare, Sasa mendonte se gruaja e babait ishte nëna e saj biologjike. Më pas zbuloi të vërtetën, e kërkoi të ëmën për plot një vit por s’mundi dot të binte në gjurmët e saj. Më pas, kur ishte ende 18 vjeçe, e ëma e telefonoi, ato mundën të takoheshin (qe hera e parë dhe e fundit), dhe gjithçka u mbyll me aq.
“Kam kaluar një adoleshëncë të tmerrshme.” u shpreh ajo, duke treguar se si zbulimi i së vërtetës shembi botën e saj.
Ç’mendon sot Sasa për sëmundjen?
"Më ka sjellë shumë të mira, jam më e fortë, u rrita ne emër, fitova dashurinë e njerëzve, punën." u shpreh 28- vjeçarja, e cila gjithashtu është e angazhuar në politikë.
Në fund të ditës, e reja preferon të mos pyesë se përse fati/Zoti/nëna natyrë vendosni t'i jepte një jetë të tillë. Sipas saj, pozitiviteti është ajo që i duhet gjithkujt në çaste të tilla. Përpos karrierës, Sasa ka mundur të përmbushë edhe pritshmëritë e saj përsa i përket fizikut dhe përfshirjes në palestër. Kur doli nga spitali peshonte vetëm 40 kilogramë, para palestrës 55 dhe tani që ushtrohet plot 63.