
Getoar Selimi, i ftuar te “Goca dhe Gra”, foli ndër të tjera për një fenomen që e kemi vënë re të gjithë në muzikën shqiptare: mungesën e autenticitetit. Ai vendosi theksin në faktin që nuk ka më këngë unike në prodhimet e sotme dhe se shumica e këngëve dhe bashkëpunimeve të publikuara janë “konsum”.
“Mendoj që një artist sot duhet të dijë si të menaxhojë veten. Kur kam bërë album, pas një periudhë shumë të gjatë, kam vendosur vetëm për këtë arsye, për njerëzit që më duan, e kanë kërkuar muzikën time, bashkëpunimet që janë jo të zakonshme”, u shpreh reperi, duke treguar se është përzgjedhës në atë çka i ofron publikut.
Ai shtoi më tej:
“Edhe bashkëpunimet e kohëve të fundit janë shumë të zakonshme, këngët janë të gjitha njësoj. Këngët që dalin gjatë verës janë të gjitha njësoj, bashkëpunimet, zhanri është i njëjtë, vetëm ndërrojnë artistët. Është bërë konsum”, përfundoi ai.
Reperi rrëfeu se fillimisht, njerëzit thjesht i kanë dëgjuar muzikën dhe e kanë dashur për të. Ai tha se euforia e rrjeteve sociale dhe presioni për t’u përshtatur me trendet e momentit ndikojnë te karriera e një artisti.
Getoari zbuloi se është tërhequr prej koncerteve, për shkak të punëve të tjera, por sërish, e përzgjedh edhe se ku paraqitet. Megjithatë, ai tregoi se do ta bëjë një koncert, por kur t'i vijë koha.