
Në një intervistë ndryshe për emisionin "S'e Luan Topi", ishte Erjona Rusi kësaj radhe që rrëfeu një prej momenteve më të vështira në jetën e saj. Ajo ndau me publikun përvojën e dhimbshme që kaloi familja e saj, duke theksuar padrejtësitë dhe mungesën e mbështetjes që babai i sëmurë përjetoi nga sistemi shëndetësor.
Erjona nisi rrëfimin duke përmendur problemet që hasin njerëzit me aftësi të kufizuara, përfshirë edhe babanë e saj të ndjerë, në sistemin shëndetësor të vendit tonë:
“Kam një kujtim të keq që lidhet me sëmundjen e babit. Momenti mbase më i vështirë si qenie njerëzore dhe që ka të bëjë pak me politikat e këtij shteti. Njerëzit të cilët janë të paralizuar ose me aftësi ndryshe përfitojnë kemp, është një lloj ndihme qesharake. Mirëpo pas një viti, që të përfitosh kemp, mjekët duhet të vërtetojnë që i sëmuri vazhdon të jetë i sëmurë,” tregoi ajo.
Në vijim, ajo rrëfeu vështirësitë që kaluan për të siguruar këtë ndihmë, duke u lutur vazhdimisht që mjekët të shkonin në shtëpinë e tyre për të vlerësuar gjendjen e babait të saj, i cili nuk mund të lëvizte:
“Unë u jam lutur, po lutur, se ekziston kjo shprehja ‘si Krishti’, atyre mjekëve që të vinin ta shihnin babin te shtëpia. Unë sa kisha marrë dhe një makinë të vogël dhe u thashë ‘ju marr unë me makinë dhe hajdeni shiheni se babin nuk e lëvizim dot,’ sepse ishte në atë gjendje që nuk mund të lëvizte.”
Megjithatë, mjekët nuk u përgjigjën ndaj lutjeve të saj dhe kërkuan që babai të transportohej në spital, gjë që nuk ishte e lehtë për familjen e saj:
“Por mjekët nuk erdhën. 'Do ta sillni këtu' thanë. Dhe unë, me mamin dhe vëllain, e kemi marrë babin me batanije, sepse nuk mbahej dot në krahë, s’kishte mënyrë tjetër dhe e kemi futur në makinë që ta shihnin këta mjekët që do na jepnin pastaj kempin ne.”
Erjona shprehu ndjenjat e dhimbjes dhe poshtërimit që përjetoi, duke parë gjendjen e rëndë të babait të saj dhe mungesën e ndihmës:
“Po e di çfarë ndjesie e ndyrë dhe e poshtër është nga ana njerëzore të shohësh të afërmin tënd në atë gjendje? Është e pabesueshme.”
Ajo shpjegoi se ishte shumë e vogël në atë kohë, por për atë çfarë përjetoi, nuk do të heshtte kurrë:
“Iu ktheva, po isha shumë e vogël. Të isha kjo Erjona që jam sot, përpara atyre mjekëve, ata do ta harronin, unë kurrë s’do ta bëja. Dhe jo thjesht nga ana ekonomike, se mbase jam sot më mirë, por kurrë, do bëja namin. Ka pasur një rast kur kam qenë me të [babain] në spital që isha gati t’i fusja thonjtë në fyt një mjeku se e hoqi nga reanimacioni dhe e çoi në dhomë, se s’kishte marrë lekët. I mbaj mend me fytyra, mbase emrat ua kam harruar. Po nuk dua t’i takoj se kam një urrejtje të madhe për ta.”
Megjithatë, ajo tha se nuk janë të gjithë mjekët njësoj, duke treguar se ka njohur edhe profesionistë të jashtëzakonshëm:
“Nuk janë të gjithë mjekët kështu, kam njohur dhe mjekë fantastikë që i kam pasur të ftuar në emision.”
Erjona Rusi tregoi se babai i saj filloi të kishte probleme shëndetësore që kur ajo ishte vetëm 12 vjeç. Kur ajo ishte shtatzënë, babai pësoi një hemorragji cerebrale dhe u paralizua, duke ndërruar jetë në periudhën kur ajo ishte në pritje të vajzës së saj.