Kopertina e revistës së njohur angleze “Time” e datës 12 shtator iu kushtua gjeniut të fotografisë, artistit shqiptaro-amerikan Gjon Mili.
Aty shihet një foto origjinale e vitit 1941, bardh e zi; me në qendër një të ri që stërvitet. Edhe pse ka më shumë se gjysmë shekulli që është realizuar, ajo duket e shkrepur në ditët e sotme, ndoshta në sajë të kontributit të dhënë nga editorja e fotove Sanna Dullaway, e cila u ka dhënë atyre ngjyrë. E mësuar të punojë me fotografi të fokusuara në një subjekt të vetëm, Sanna Dullaway, ka deklaruar për ‘Time’ që fotot e Milit kanë qenë një sfidë e re për të. Asaj i është dashur të merret me disa momente të përfshira brenda një kornize. "Sa më gjatë që shikoja fotografitë në stroboskop, aq më shumë detaje të ndërlikuara zbuloja."-shpjegon ajo.
Gjon Mili është i njohur për imazhet e tij stroboskopike; përmes një serie ndriçimesh të befta, ai kapte lëvizje të shumta të objekteve në një fotografi të vetme. Formimi i Gjon Milit ishtë shumë i pasur. Ai mori një diplomë në inxhinieri elektrike nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets dhe ka punuar si studiues ndriçimi me Kompania e Llambave Westinghouse në fund të viteve ‘20 dhe '30. Avancimet e bëra asokohe përsa u përket ndriçimeve të befta elektronike, e ndihmuan atë të mprehë më tej aftësitë e tij si fotograf.