
Për shumë njerëz, dita e dasmës është ndër ditët më të lumtura të jetës. Por, sipas disa fotografëve profesionistë të dasmave, prapa buzëqeshjeve dhe pozave të bukura përpara kamerës, mund të fshihen shenjat e para të një ndarjeje të mundshme, madje edhe përpara se të pritet torta.
Një nga sinjalet më të zakonshme, sipas fotografit të njohur nga Kalifornia Jugore, Christopher Todd Griffiths, është kur njëri nga partnerët, shpesh dhëndri, refuzon të fotografohet.
“Nuk ka të bëjë thjesht me ndrojtjen. Ata nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë për diçka që ka rëndësi për partnerin e tyre dhe kjo është alarmante,” – thotë Griffiths për Daily Mail.
“Nëse dikush nuk përpiqet as në ditën e dasmës, çfarë do ndodhë kur të vijnë sfidat e vërteta?”
Sipas tij, gjuha e trupit është po aq e rëndësishme sa bashkëpunimi para kamerës. Disa çifte shkëlqejnë nga kimia dhe harmonia, ndërsa të tjerë duket se mezi presin të përfundojë gjithçka.
“E dallon menjëherë kur nuk ka afrimitet mes tyre. Janë të ftohtë, nuk prekin njëri-tjetrin, nuk shikohen në sy. Thjesht janë atje sepse duhet.”
Si e përballojnë stresin e ditës së dasmës
Një tjetër tregues është si reagon çifti kur diçka shkon keq gjatë ceremonisë dhe diçka gjithmonë shkon keq.
“Në ato momente shfaqet e vërteta”, – thotë fotografi tjetër, Devin Dugard.
“Shihen menjëherë nëse janë një ekip apo nëse i kthejnë shpinën njëri-tjetrit.”
Kontaktet me sy, ose mungesa e tyre
Një shenjë tjetër shqetësuese, sipas Dugard, është mungesa e kontaktit me sy mes çiftit.
“Është normale të ndihesh pak në siklet para kamerës. Por nëse shmang kontaktin me sy me partnerin tënd në ditën e dasmës, kjo mund të tregojë një shkëputje më të thellë emocionale.”
Edhe kur gjithçka duket mirë në ditën e dasmës, marrëdhëniet mund të fillojnë të sfidohen me kalimin e kohës, sidomos tek gratë, që shpesh e ndjejnë këtë gjatë periudhës së menopauzës.
Një grua e divorcuar së fundmi, Melissa McClure, tregoi për USA Today:
“Kalojmë gjithë jetën duke u kujdesur për bashkëshortin dhe fëmijët. Japim aq shumë, sa në fund humbasim veten.
Nuk ishte krizë moshe, ishte zgjim. Kuptova se çfarë dua nga jeta. Dhe ti (i drejtohet ish-bashkëshortit), nuk je pjesë e saj.”
Melissa u divorcua para tre vitesh dhe thotë se nuk është ndier kurrë më e lirë dhe më e lumtur.