
Menjëherë pasi u shpall fituesi i çmimit Booker 2025, “Flesh” nga David Szalay, njerëzit iu futën detajeve dhe vunë re se në libër, personazhi kryesor, István, e belbëzon fjalën “ok” 500 herë!
Pikërisht, kjo është pika lidhëse me stilistikën e kursyer të prozës, përmes së cilës autori britaniko-hungarez i tregon lexuesit për botën e brendshme të një burri që i përket klasës punëtore. Ama, sado i pashprehur të jetë István, sërish njerëzit kanë shumë për të thënë! Historia e një burri të thjeshtë nga Europa Lindore ka ndezur një debat për “mashkulloren” dhe mënyrën se si paraqitet në letërsi në vitin 2025!
GQ u kërkoi lexuesve të mos e tkurrin historinë e librit në një “material debati”. Por në një vit kur ideja e “burrave” në letërsi dhe kufizimin e kësaj tematike, na vjen “Flesh”, duke treguar një histori për një burrë të heshtur, epshor dhe herë pas here i dhunshëm, ishte e destinuar të nxitë diskutime.
Szalay ka folur për natyrën “e rrezikshme” të romanit, jo vetëm për shkak të stilit të tij, por sepse István-i si protagonist shfaq sjellje toksike mashkullore. “Nuk ekziston më ajo ideja se ‘djemtë janë djem’”, tha David Szalay pas fitores. “Prandaj pres që personazhi kryesor në “Flesh” të marrë mjaft kritika”, duke parashikuar kështu edhe fatin e romanit.
István-i shkon në një qendër riedukimi për të rinjtë për shkak të një akti dhune, pastaj bashkohet me ushtrinë. Ai punon si roje sigurie te dera e një klubi striptizmi, përpara se të bëhet shofer dhe truprojë. “Këto nuk janë rrugë ekskluzivisht “mashkullore”” thotë gjyqtari i Booker-it dhe shkrimtari Chris Power. “Por janë kryesisht ose tradicionalisht të tilla.”
Këtë vit, disa kanë vënë në pikëpyetje nëse shkrimtarët burra dhe temat mbi burrat janë futur në një krizë mode të pakthyeshme. Në prill, u krijua një shtëpi e re botuese, “Conduit Books”, me synimin për të publikuar letërsi artistike dhe kujtime nga burra, mes “perceptimit se zëri i burrave është problematik”, sipas themeluesit Jude Cook.
Cook tha se peizazhi botues kishte ndryshuar si reagim ndaj “skemës toksike të letërsisë së dominuar nga burrat gjatë viteve ’80, ’90 dhe 2000”.
Lista e gjatë e Booker-it, e cila përfshinte gjashtë burra dhe shtatë gra dhe suksesi i Szalay-t, dhanë një përgjigje të fortë kundër këtij argumenti. Por fitorja e “Flesh”, jo vetëm që sfidoi një prirje të dukshme në letërsi, por gjithashtu u duk sikur lidhej drejtpërdrejt me debatin aktual mbi kuptimin e të qenit burrë në vitin 2025.
Shumë nga raportimet pas fitores e vendosën romanin në kontekstin më të gjerë të “krizës së meshkujve”, të karakterizuar nga rritja e influencuesve si Andrew Tate dhe debati i hapur nga drama e Netflix-it, “Adolescence”.
“Ideja e një krize të burrave në kulturën e gjerë, për shembull, në normat e vetëvrasjes ose tek të rinjtë që u drejtohen Andrew Tate-ve të botës, po përplaset pothuajse drejtpërdrejt me letërsinë,” thotë Power.
Kritiku dhe autori Leo Robson thotë:
“Ndoshta është më e lehtë, në një epokë ku ka pasur një debat të shëndetshëm rreth burrave dhe sjelljes mashkullore, të mbështesësh dikë si David Szalay që shkruan për burrat me një frymë kërkimore dhe skeptike.”
Një vështrim te librat e tjerë të shkurtuar në listën e Booker-it, të shkruar nga burra, zbulon disa lidhje të zbehta. Power thotë se romanet e tjera të shkrimtarëve meshkuj ishin të lidhura mes tyre nga temat e “tradhtisë” dhe burrave të “drejtuar nga epshi”, të cilat shfaqen fuqishëm edhe te “Flesh”.
Libri “The Rest of Our Lives” i Ben Markovits trajton krizën e mesomoshës; “Seascraper” i Benjamin Wood ndjek “detajet prozaike të jetës së përditshme” të një peshkatari karkalecash; ndërsa “The Land in Winter” i Andrew Miller hapet me vetëvrasjen e një të riu.
Por Power e sheh István-in kryesisht si një njeri që përpiqet të pajtohet me ankthin e statusit dhe pasigurinë financiare që shumë të rinj po përballen sot.
“Mendoj se István-i po përpiqet të marrë kontrollin e jetës së tij,” thotë ai. “Kjo lidhet me një ndjenjë universale, diçka që ndihet shumë fort nga shumë njerëz.”
