
Aktorja Lily Collins është parë së fundmi në Venecia, ku po zhvillohen xhirimet për sezonin e pestë të serialit të famshëm “Emily in Paris”. Ajo shfaqet krah koleges së saj, Ashley Park (Mindy) dhe aktorit italian, Eugenio Franceschini, i cili do të interpretojë të dashurin e ri të Emily-t në këtë sezon.
Siç mund të kujtojnë fansat, Emily tani ndodhet në Itali, ku drejton zyrën e Agence Grateau në Romë, dhe, si gjithmonë, përpiqet të balancojë punën, modën dhe jetën personale aspak të thjeshtë.
Xhirimet për sezonin e ri nisën në maj 2025 në Romë, më pas u zhvendosën në Venecia nga data 5 deri më 15 gusht, dhe pritet të përfundojnë në Paris me episodet finale. Edhe pse një datë zyrtare ende nuk është konfirmuar, premiera e sezonit të pestë pritet të vijë në fund të vitit, ndoshta rreth festave të Krishtlindjes, nëse gjithçka shkon sipas planit.
Në sezonin e ri, Emily do të gjendet e dyzuar mes Gabrielit (Lucas Bravo) dhe italianit karizmatik, Marcello Muratori (Franceschini), me të cilin lidhja e saj po merr një drejtim të ri. Ndërkohë, Camille Razat (në rolin e Camille) nuk do të rikthehet këtë sezon, pasi aktorja ka zgjedhur të ndjekë projekte të tjera.
Kasti i sezonit të ri do të pasurohet me emra të rinj, përfshirë Minnie Driver, e nominuar për çmimin Oscar, e cila do të jetë në rolin e Princeshës Jane, një mikeshë e Sylvie Grateau (Philippine Leroy-Beaulieu).
Seriali premton më shumë stil, më shumë romancë dhe sfida të reja për Emily-n, e cila këtë herë duhet të lundrojë mes dy qyteteve dhe dy zgjedhjeve.
View this post on Instagram
Vetë Lily Collins ka ndarë me fansat disa pamje magjepsëse nga Venecia, me veshje të mrekullueshme që tashmë po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale.