
Rreth 40.8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me HIV, dhe vetëm vitin e kaluar ai shkaktoi rreth 630,000 viktima.
Që prej vitit 1988, shkencëtarë, mjekë, familjarë dhe aktivistë në mbarë botën e shënojnë 1 dhjetorin si Ditën Botërore të AIDS-it për të kujtuar viktimat e epidemisë HIV/AIDS dhe për të promovuar përpjekjet që synojnë t’i japin fund.
Që nga fillimi i krizës, rreth 44.1 milionë njerëz kanë humbur jetën për shkaqe të lidhura me HIV-in, virusin që shkakton AIDS. Rreth 91.4 milionë janë infektuar ndër vite.
Megjithëse dekadat e fundit kanë sjellë përparime të jashtëzakonshme në parandalimin dhe trajtimin e HIV-it, ekspertët paralajmërojnë se shkurtimet e fundit të fondeve nga vendet e pasura mund të sjellin rikthim të infektimeve në rajonet më të prekura.
Në Ditën e 37-të Botërore të AIDS-it, këto janë tetë zhvillimet kryesore në luftën kundër kësaj epidemie shkatërrimtare.

1981: Rastet e para raportohen
Në qershor, autoritetet shëndetësore në SHBA raportuan një sëmundje misterioze që prekte burra të rinj, në dukje të shëndetshëm, të cilët më vonë humbën jetën. Së shpejti u identifikuan qindra raste të tjera, përfshirë përdorues droge, hemofilikë dhe pacientë që kishin marrë transfuzion gjaku.
Europa nisi monitorimin e AIDS-it në vitin 1984 dhe në fund të vitit 1985 u zhvillua testi i parë për HIV.
Kjo periudhë shënoi fillimin e asaj që u njoh më pas si epidemia HIV/AIDS, që do të dominonte shkencën dhe opinionin publik për dekada.
1996: Trajtimi i ri ul ndjeshëm vdekjet nga AIDS
Pas shumë viteve kërkimesh, shkencëtarët zbuluan se terapia antiretrovirale shumë aktive (HAART), një kombinim prej tre ilaçesh, ishte jashtëzakonisht efektiv.
HAART forcon sistemin imunitar duke shtypur virusin dhe ngadalësuar përparimin e HIV-it drejt AIDS-it. Ky trajtim e shndërroi diagnozën e HIV-it nga një "dënim me vdekje" në një sëmundje kronike të menaxhueshme, për ata që mund ta përballonin.
Pasojat ishin të menjëhershme: vdekjet ranë në vendet që kishin akses, ndërsa numri i personave që jetonin me HIV u rrit për shkak të testimeve dhe diagnostikimeve më të shumta.

2003: Krijohet PEPFAR
SHBA-ja nisi Programin e Emergjencës së Presidentit për Ndihmë në Luftën kundër AIDS-it (PEPFAR), fillimisht një plan 15 miliardë dollarësh për vendet me ngarkesë të lartë rastesh.
Në vitin 2025, programi u ka shpëtuar jetën më shumë se 26 milionë njerëzve në 50 vende, duke u bërë programi më i madh shëndetësor global për një sëmundje të vetme.
2011: Antiretroviralët parandalojnë transmetimin e HIV-it
Në një konferencë në Romë, shkencëtarët konfirmuan se ilaçet antiretrovirale nuk trajtojnë vetëm HIV-in, ato ulin ndjeshëm edhe rrezikun që një person i infektuar t’ia transmetojë virusin partnerit seksual.

2012: Miratohet ilaçi i parë PrEP
Autoritetet amerikane miratuan Truvada për profilaksinë para ekspozimit (PrEP), ndërsa BE-ja e miratoi në 2016.
PrEP është një pilulë ditore për personat me rrezik më të lartë, si meshkujt homoseksualë dhe biseksualë, personat transgjinorë dhe punonjësit e seksit, dhe ul rrezikun e infektimit nga marrëdhëniet seksuale deri në 99%, dhe nga injeksionet deri në 74%.
Në vendet e pasura, kombinimi i antiretroviralëve dhe PrEP ka ndryshuar rrjedhën e epidemisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, diagnozat e reja te meshkujt homoseksualë ranë me dy të tretat midis 2015-ës dhe 2020-ës.

2020: Sfida në zgjerimin e parandalimit dhe trajtimit
Në vitin 2014, UNAIDS vendosi objektivin 90-90-90 për vitin 2020:
– 90% e personave me HIV të dinin statusin e tyre
– 90% e tyre të trajtoheshin
– 90% të kishin ngarkesë virale të ulët
Suedia e arriti e para në vitin 2016. Por në vitin 2020, vetëm 19 vende u afruan ose e arritën plotësisht objektivin.
2024: Injektimi gjashtë-mujor PrEP shpallet risi e madhe
Studimet treguan se një injeksion me ilaçin lenacapavir mbron nga HIV-i deri në gjashtë muaj, dyfish nga versioni i mëparshëm.
BE-ja e miratoi në vitin 2025 dhe u planifikua që versionet më të lira gjenerike të mbërrinin në vendet me të ardhura të ulëta në vitin 2027.

2025: Shkurtimet e fondeve rrezikojnë përparimin
Këtë vit u ndërprenë papritur fondet e huaja të SHBA-së për programe shëndetësore, duke shkaktuar vonesa në trajtime në shumë vende. Edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca kanë ulur ndjeshëm financimin global.
Ekspertët paralajmërojnë se këto shkurtime mund të minojnë vite të tëra pune kundër HIV/AIDS, malaries dhe tuberkulozit.
Sot, rreth 40.8 milionë njerëz jetojnë me HIV në mbarë botën, dhe virusit i atribuohen rreth 630,000 vdekje në vit. Afrika mbetet kontinenti më i goditur, me më shumë se dy të tretat e rasteve.
Burimi: Euronews
