
Miliarderi amerikan dhe themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, është martuar me partneren e tij prej vitesh, prezantuesen Lauren Sánchez, në një dasmë të bujshme në Venecia, Itali. Ceremonia, që u zhvillua në ishullin piktoresk San Giorgio Maggiore, mblodhi emra të njohur nga bota e famës si Oprah Winfrey, Kim Kardashian, Tom Brady, Leonardo DiCaprio, Bill Gates, Barbara Streisand dhe të tjerë.
Megjithëse çifti ishte martuar ligjërisht më herët, kjo dasmë u organizua si një festë tre-ditore e përmasave të jashtëzakonshme, me një buxhet të raportuar prej rreth 50 milionë dollarësh. Dasma u organizua nga të njëjtët planifikues që kishin përgatitur edhe martesën e George dhe Amal Clooney.
Lauren Sánchez shkëlqeu me një fustan të bardhë me mëngë të gjata dhe korse tantelle nga Dolce & Gabbana, ndërsa Bezos mbante një smoking klasik. Ceremonia u shoqërua me muzikë romantike: këngëtari Matteo Bocelli interpretoi këngën e famshme “Can’t Help Falling in Love”, ndërsa një kor gospel emocionoi të pranishmit me “Higher Love” të Whitney Houston.
Pas shkëmbimit të betimeve dhe puthjes së famshme, festa vazhdoi me një pritje luksoze dhe një shfaqje fishekzjarresh, që ndriçoi qiellin venecian. Përpara ceremonisë, çifti kishte organizuar një darkë mirëseardhjeje në një kishë të njohur, por që u ndërpre për shkak të motit të keq, si dhe një festë me shkumë në jahtin superluksoz të Bezos prej 500 milionë dollarësh, “Koru”.


Përsa i përket të ftuarve, të gjithë mbërritën me taksi ujore drejt ishullit San Giorgio Maggiore, të veshur me stil nga shtëpitë më të njohura të modës si Dolce & Gabbana, Versace, Oscar de la Renta dhe Roberto Cavalli, ndërsa prania e tyre u mbajt diskrete, pasi gjatë gjithë ngjarjes u respektua një ndalim i postimeve në rrjetet sociale nga momentet e dasmës.


Edhe pse dasma tërhoqi vëmendje botërore, pati edhe reagime kritike në qytet. Protestues në Venecia shfaqën pakënaqësi ndaj miliarderit me mesazhe të tilla si: “Nëse mund të marrësh me qira gjithë qytetin për dasmën, mund të paguash më shumë taksa.” Si përgjigje, çifti thuhet se ka bërë donacione për disa organizata lokale në kuadër të planifikimeve të dasmës.
Bezos dhe Sánchez janë bashkë që nga viti 2019, por u shfaqën publikisht si çift vetëm pasi përfunduan divorcet me partnerët e mëparshëm. Bezos ka katër fëmijë me ish-bashkëshorten MacKenzie Scott, ndërsa Sánchez ka tre fëmijë nga lidhjet e mëparshme.
Burimi: Page Six