
Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez po planifikojnë dasmën e shekullit! Kanë kaluar dy vite që kur themeluesi i Amazon i propozoi gazetares fituese të çmimit Emmy me një unazë fejese prej 30-karatësh gjatë pushimeve në Europë dhe më në fund, ka ardhur momenti që ata të kurorëzojnë dashurinë e tyre.
Megjithëse detajet specifike janë mbajtur të fshehta, Associated Press raportoi se festimet shumëditore do të nisin në Venecia më 24 qershor. Gjatë një interviste në emisionin "Today" në nëntor 2024, ish-moderatorja e lajmeve tha se po i qaset organizimit të dasmës ashtu si shumica e nuseve.
“Duhet ta pranoj, kam një Pinterest. Jam si çdo nuse tjetër”, u shpreh me humor Lauren.
Pavarësisht sekretit, të afërmit më të ngushtë të çiftit kanë parashikuar që kjo dasmë do të jetë çdo gjë përveçse një dasmë e zakonshme.
“Mendoj se do të jetë si diçka nga dasma e princeshës Diana,” tha vëllai i madh i Lauren, Paul Sánchez, për TMZ në mars 2025. “Do të jetë një event i mrekullueshëm, plot yje dhe argëtim.”
Dasma

Çifti do të martohet në Venecia. Pasi miliarderi mohoi thashethemet se po planifikonin një dasmë dimërore prej 600 milionë dollarësh në Aspen, Kolorado, kryebashkiaku i Venecias, Luigi Brugnaro, konfirmoi se dasma do të zhvillohej në qytetin historik italian. Megjithatë, festimet e dasmës mund të priten me protesta, pasi banorët e qytetit mendojnë se eventi do të ketë pasoja negative për qytetin.
“Njoftimet dhe lajmet e rreme që po qarkullojnë për dasmën e Jeff Bezos janë tërësisht të pabaza,” shkruhej në një deklaratë të siguruar nga People, ku shtohej se do të ftohen vetëm 200 persona dhe se eventi nuk do të shqetësojë qytetin.
“Po bashkëpunojmë ngushtë me organizatorët për të siguruar që eventi do të jetë plotësisht i respektueshëm ndaj delikatesës dhe veçantisë së qytetit,” vijonte deklarata.
Përgatitjet

Sipas një burimi të Associated Press, Bezos dhe Sánchez po planifikojnë që 80% e produkteve për dasmën të vijnë nga furnitorë lokalë. Rosa Salva, pastiçeria më e vjetër në qytet, po përgatit dhurata për të ftuarit.
“Nuk mendoj se një event me 200 persona do të krijojë probleme. Është turizëm i përgjegjshëm. Është prestigj fakti që një çift si ky, që mund të martohet kudo në botë, ka zgjedhur qytetin tonë”, u shpreh Salva.
Edhe pse çifti nuk e ka konfirmuar vendin e saktë ku do të kurorëzojë dashurinë, disa zëra thonë se ceremonia mund të mbahet në jahtin 500 milionë dollarësh të Bezos, “Koru”. Të tjerë përmendin San Giorgio Maggiore – një ishull me një kishë historike dhe qendër kulturore – ose Scuola Grande della Misericordia, një ndërtesë shekullore.
Lista e të ftuarve

Dasma në Itali pritet të jetë një event i mbushur me yje, ashtu si festat e fejesës së tyre.
Në gusht 2023, Bezos dhe Sánchez festuan fejesën me të ftuar si Bill Gates në një festë në jahtin e Bezos. Tre muaj më vonë, dizajnerja Diane von Furstenberg organizoi një mbrëmje në nder të tyre në Beverly Hills.
Të pranishëm ishin Oprah Winfrey, Salma Hayek Pinault, Barbra Streisand, Miranda Kerr, Suki Waterhouse, Robert Pattinson dhe të famshëm të tjerë.
Për sa i përket dasmës, People konfirmoi se janë ftuar Ivanka Trump, Jared Kushner, Karlie Kloss dhe Joshua Kushner. Miket e ngushta të Sánchez, Kris Jenner dhe Kim Kardashian, mund të jenë gjithashtu në listë, së bashku me anëtaret e ekuipazhit të hapësirës Blue Origin: Katy Perry dhe Gayle King.
Çifti do të qëndrojë në Aman – hoteli buzë kanalit të madh ku u martuan George dhe Amal Clooney në 2014. Ata kanë rezervuar dhoma edhe në katër hotele të tjera luksoze: Gritti Palace, St. Regis, Belmond Cipriani dhe Hotel Danieli.
Të ftuarit janë kërkuar të mos sjellin dhurata për çiftin, por të bëjnë donacione bamirësie në vend të tyre. Thuhet se dhuratat për të ftuarit do të përfshijnë artikuj të xhamit venecian nga Laguna B dhe ëmbëlsira vendase nga Rosa Salva.
Organizatorët e dasmës
Çifti ka angazhuar agjencinë “Lanza & Baucina Limited”, e njohur për organizimin e dasmave të profilit të lartë në Venecia – përfshirë edhe dasmën e Clooney-t dhe Hayek. Ata siguruan publikun se eventi nuk do të ndikojë negativisht qytetin, pavarësisht protestave kundër turizmit masiv.
“Që prej fillimit, udhëzimet nga klienti ynë dhe parimet tona ishin shumë të qarta: Tkurrja e çdo ndikimi negativ në qytet, respekti për banorët dhe institucionet, dhe punësimi i gjerë i forcës punëtore vendase,” thuhej në një deklaratë për Page Six.
Fustani i nuses

Dizajneri i fustanit të Lauren Sánchez nuk është konfirmuar ende, por përflitet se Anna Wintour po e ndihmon nusen për të zgjedhur fustanin dhe ka sugjeruar Oscar de la Renta. Çifti është parë gjithashtu në një provë fustani në një dyqan të Dolce & Gabbana në Milano në mars 2025.