Social Buzz

A janë njerëzit që shajnë/përdorin ‘fjalë të pista’ më të sinqertë? Ja ç’thotë ky studim!

Shkruar nga Anabel

25 Shkurt 2021

A janë njerëzit që shajnë/përdorin ‘fjalë

E keni menduar ndonjëherë se fjalori “i pistë” mund të shoqërohet me sinqeritet më të lartë ose më të ulët? Ka plot argumente nga të dyja palët. Nga njëra anë, mund të mendojmë se ndërsa “të sharat” dhe fjalët e pista rriten, sinqeriteti i një personi bie. Mbi të gjitha, sharjet ndonjëherë shkojnë kundër standardeve shoqërore për sjellje të mirë.

Për më tepër, fjalët e pista dhe vulgare mund të përdoren për të dëmtuar të tjerët dhe përdorimi i tyre mund të jetë shenjë e mungesës së vetëkontrollit. Ato mund të jenë tregues i një karakteri të errët ose të pabesuar.

Por, prisni pak! Ne gjithashtu mund të tregojmë raste të forta ku të përdorurit këto fjalë të pista mund të lidhet me ndershmërinë apo sinqeritetin e një personi. Personi që i rrëshket një fjalë e tillë kur i bie një vegël në këmbë apo kur i derdhet kafja në kompjuter, po tregon transparencë për ndjenjat që po përjeton në ato momente. Ai po shpreh, në një mënyrë të ngarkuar emocionale, atë që po ndjen në këtë moment. Të pretendosh se je i qetë dhe gjithçka është në rregull fizikisht, ndërkohë që përbrenda “po zien”, a nuk do të thotë kjo “të shtrembërosh faktet/ndjesitë”? Kjo është një mënyrë për të mos qenë i sinqertë.

Pra, cila është e vërteta? A lidhet fjalori i pistë me sinqeritetin apo jo? Do ishte mirë sikur të kishim ca të dhëna empirike dhe tani, për herë të parë i kemi.

Në grupin e parë të studimeve për këtë marrëdhënie, Gilad Feldman në Universitetin e Maastricht dhe kolegët e tij gjetën një korrelacion pozitiv midis sharjeve dhe sinqeritetit. Të tre studimet u botuan në revistën Social Psychological and Personality Science.

Në studimin e parë, 276 pjesëmarrës iu përgjigjën një sërë pyetjesh. Disa kishin të bënin me sharje, si p.sh. "Sa shpesh shani me fjalë të pista?” në kontekste të ndryshme, të tilla si "ndaj një personi tjetër, kur je vetë, ose në shkrimet e tua".

Disa pyetje kishin të bënin me sinqeritetin, të tilla si: "Nëse thoni se do të bëni diçka, a e mbani gjithmonë premtimin tuaj pa marrë parasysh sa e papërshtatshme mund të jetë?"

Rezultatet: Pjesëmarrësit që thanë se shanin më shpesh, morën rezultate më të larta në “masën e sinqeritetit”.

Feldman dhe kolegët e tij gjithashtu përdorën disa teknika të tjera. Në studimin e tyre të dytë, ata kërkuan ndihmën e Facebook - specifikisht, azhornimet e statusit të 73,789 përdoruesve që ranë dakord të ishin pjesëmarrës.

Rezultoi se "ata që përdorën më shumë sharje ishin më të sinqertë në azhornimet e statusit të tyre në Facebook".

Më në fund, studimi i tretë zhvendosi fokusin nga individi në nivelin social, veçanërisht në SHBA.

Ekziston një matës i sinqeritetit nga shteti në shtet, quajtur "Hetimi i Integritetit të Shtetit". Kështu që Feldman mori të dhënat e fyerjes për përdoruesit amerikanë të Facebook (29,701 pjesëmarrës) dhe përcaktoi se nga cili shtet ishte secili. Doli që mesatarisht njerëzit që shanin më shumë në Facebook kishin tendencë të vinin nga shtetet që renditeshin më lart për ndershmëri/sinqeritet.

Duhet theksuar se: Këto janë vetëm studime paraprake dhe janë korrelacionale, kështu që nuk mund të themi asgjë për shkakësinë. Gjithashtu këto studime gjetën tendenca të përgjithshme. Ka edhe shumë njerëz që përdorin fjalor shumë vulgar dhe s’janë të sinqertë, ashtu sikurse ka edhe njerëz shumë të sinqertë, që nuk shajnë me “fjalë të pista”.

Sidoqoftë, tani për tani sharjet duket se shoqërohen me sinqeritet më të lartë.

Burimi: Psychology Today